Analisti Fatmir Sheholli merret i pandehur për spiunazh dhe shantazh (dyshohet se paguhej nga Serbia)
Analisti Fatmir Sheholli është marrë i pandehur nga Prokuroria Speciale e Kosovës, për veprat penale të spiunazhit dhe shantazhit.
Sipas Prokurorisë, Sheholli dyshohet se ka bashkëpunuar me Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA), duke mbledhur informacione për institucionet e Kosovës dhe duke ua përcjellë ato zyrtarëve të shërbimit sekret serb.
Aktakuza është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndërsa Sheholli vijon të mbahet në paraburgim.
Sipas aktakuzës, Sheholli dyshohet se ishte rekrutuar nga BIA dhe vepronte sipas udhëzimeve të zyrtarëve të këtij shërbimi.
Prokuroria pretendon se ai ka mbledhur informacione dhe dokumente që lidhen me zhvillimet politike, situatën e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Kosovës, të cilat më pas ua ka përcjellë zyrtarëve të shërbimit sekret serb përmes mesazheve telefonike.
Sipas dosjes së prokurorisë që posedon gazetarja e Top Channel, Leonita Bajrami, Sheholli ishte nën direktivat e Bojan Dimiç, drejtor i Drejtorisë Kundër Terrorizmit dhe Krimit të Organizuar Ndërkombëtar.
Sheholli ka mbledhur dhe, përmes komunikimeve dhe mesazheve telefonike, ka përcjellë tek ky zyrtar të dhëna, informacione dhe dokumente lidhur me aktivitetet politike, gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.
“Po ashtu, i pandehuri, në kuadër të këtyre aktiviteteve, ka zbatuar në tërësi edhe një plan operativ konkret, të përgatitur nga i njëjti zyrtar i BIA-së, i cili synonte dëmtimin e interesave të Republikës së Kosovës dhe ndërhyrjen direkte në procesin zgjedhor të mbajtur më datë 12.10.2025”, sqarohet në dosje aktiviteti i Shehollit.
Sipas aktakuzës, Fatmir Sheholli, më datë 26.09.2025, ka udhëtuar për në Mitrovicë të Veriut, pranë Shkollës Teknike, ku nga një person i paidentifikuar ka marrë “materiale me përmbajtje audio dhe transkripte bisedash të disa zyrtarëve të lartë të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, të destinuara për komprometimin e tyre, si dhe shumën prej 5,000.00 euro si shpërblimi për kryerjen e kësaj detyre”.
“Pastaj, në zbatim të udhëzimeve të marra nga zyrtari i BIA-së, materialet ia ka dorëzuar gazetarit Milaim Zeka, së bashku me shumën prej 1,000.00 euro, duke e udhëzuar njëkohësisht edhe për mënyrën dhe kohën e publikimit të tyre në emisionin e tij “Pa Rrotlla”, dhe atë vetëm disa ditë para ditës së votimit për zgjedhjet lokale, çka, përmes këtyre veprimeve konkrete të ndërmarra në funksion të detyrave të caktuara nga BIA, i pandehuri Sheholli ka dëmtuar seriozisht interesat shtetërore, diskreditimin e institucioneve dhe zyrtarëve të tyre, ka kontribuar në thellimin e përçarjeve shoqërore, si dhe ka mundësuar ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të një shërbimi të huaj informativ në një proces zgjedhor në Republikën e Kosovës”, thuhet në dosjen e Prokurorisë Speciale.
Fatmir Sheholli ngarkohet edhe me veprën penale të shantazhit pasi, nga viti 2022 e deri në vitin 2025, përderisa ndodhej edhe në paraburgim, e ka shantazhuar A.J., pronar i një biznesi, duke e detyruar të veprojë në dëm të pasurisë së tij në shumën që tejkalon 13,000.00 euro.
Sipas aktakuzës, Sheholli i kërkonte para për huazim, por nën kërcënimin se “do të publikonte në media video-incizime dhe informacione që do t’i dëmtonin rëndë nderin, reputacionin dhe autoritetin e të dëmtuarit”.
/Shqip.com