OP-ED Kolumne

Ana e errët e qytetit!

Artan Kajtazi
Artan Kajtazi

Publikuar:

Do të isha i inatosur të dëgjoj sugjerime si të sillemi në qytet, si të veprojmë, si të jemi në kontroll dhe njëkohësisht si të përshtatemi me fqinjët tanë. Tekefundit, me këtë mirësjellje, me këtë kontroll, me këtë përshtatshmëri, nuk humbasim asgjë. Përkundrazi, tregojmë qytetari. Tregojmë identitet. Tregojmë kulturë.  

Për më tepër, ky lloj sugjerimi e mirësjellje do të vlente më shumë për qytetarët e anës tjetër të qytetit. Anës së errët! Megjithatë, ata që bllokojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve, ata që kontrollojnë “edhe të tjerët”, ata që shtiren si “të fortë”, ata që gjuajnë me bomba, ata që thyejnë çdo gjë që u del përpara, ata që shajnë, me të vërtetë e kanë harruar anën e ndritshme të qytetit. Janë veçse roje të hijes së tyre! Asgjë më tepër!

Ata matanë qytetit dëgjojnë lloj-lloj historish e të bëmash të rrejshme, saqë me “mendimet e tyre” nuk mund ta perceptojnë realitetin. Pra, nuk e kanë harruar dëshpërimin dhe atë që me forcë nuk mund të arrihet çdo gjë. Një gjë tashme është e sigurt: e huaja kurrë nuk bëhet e jotja! Ndoshta edhe e dinë.

Të gjithë, në ditët e sotme, jemi në kërkim të “fytyrës” së vërtetë të qytetit. Edhe ata të “pafytyrët”! Por, gjithnjë gjërat po rrjedhin “bllokueshëm”! E di, nuk është një nga idetë më të mira, por gjithë ato drita të qytetit frymëzojnë shumë! Duhet lënë mënjanë tërbimin, duhet kërkuar ndjesë, duhet të shohim të ardhmen syçelë!

Është diçka e madhe, e papranueshme t’u mohohet qytetarëve e drejta për të lëvizur të lirë, për të qenë të pavarur dhe për të menduar për një mirëqenie më të mirë. Jo se është diçka e madhe, por është më e pakta, është elementare.

Sa më shumë që po tejzgjatet kjo “errësirë”, aq më shumë po “acarohen raportet” dhe për më tepër po bëhet një “armiqësi pa fund”. Ndoshta dikujt po i pëlqen?! Ndoshta dikush e kalon “lumin këmbë”! Tekefundit, për të tjerët, urat janë vetëm sipërfaqësore! Urat nuk “bashkojnë qytete”! Për disa, përkundrazi, urat ndajnë!

Atëherë, duhet gjetur zgjidhjen. A mundemi? Mbetet për t’u parë! A ka vullnet? Pak! Ku është problemi? Ata ndoshta e dinë! Të “mençurit”?! Tashmë një gjë është e sigurt, nuk ka një mundësi të dytë! Shumë e turpshme! Mundësia e jetës nuk duhet lejuar në dorë të tjetrit! Pikërisht, këtu është problemi themelor. Këtë duhet ta kemi parasysh! Sot, nesër dhe gjithnjë!

Shumica e njerëzve këtu vetëm ëndërrojnë. Ndonjëherë edhe “syhapur”! Një ditë do të më pëlqente të shkruhet e “njëjta këngë”! Të këndohet i njëjti refren! Është edhe një element tjetër, por thjesht nuk do ta harrojmë “këngën e vjetër”! Refrenin e vjetër! Dinasti ngjarjesh!

Sigurisht se nuk është edhe e lehtë të realizohet shpejt e shpejt. Po nuk është as e drejtë të tejzgjatet në pafundësi. Kërkohet pjekuri dhe maturi. “Grackat” janë të këqija. Rrjedhimisht, “zhurmat”, “britmat”, “krizat”, “njerëzit me çekanë në dorë” nuk kanë “jetëgjatësi”. E zorshme për ta pranuar, por e detyrueshme…

Për më tepër, “errësira” mund t’i dëmtojë sytë. Mund të mos e shohësh anën e ndritshme të qytetit. Ana e errët tashmë veçse po shihet. Është një fuqi e ligë edhe atëherë kur në pikë të ditës ka diell!

Pas 23 vjetësh, kështu si rrodhën gjerat, durimit një ditë do t’i vijë fundi. A është bërë tepër? Çfarë të bëjmë? A kemi nevojë edhe për pak kohë? Jo vetëm që është bërë tepër, por jemi mbështetur me fytyrë për muri. Në fakt, jemi mbështetur me fytyrë në dysheme! Pse kjo pikërisht po na kërkohet?! Thjesht marrëzi!

Natyrisht, qytetarët e asaj pjese vuajnë çdo ditë. Jo vetëm të pjesës së errët. Errësira e madhe kaplon edhe pjesën këndej qytetit. Në të vërtetë, po vuan e gjithë shoqëria. Një gjë tashmë është e sigurt, aty ku ndodhet shtëpia, aty ndodhet edhe zemra.

/Shqip.com