Lajme

Ambasadori britanik falënderon Kosovën për pranimin e afganëve

Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbot

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbot, ka falënderuar Kosovën për pranimin e refugjatëve afganë.

“Ndihem i nderuar që isha  në aeroportin e Prishtinës këtë mbrëmje, pas takimit me të evakuuarit të parë nga Afganistani që po mbërrijnë në Kosovë. Mirënjohës për mikpritjen kosovare”, ka shkruar ai në Facebook.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri, Albin Kurti e ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kanë pritur refugjatët e parë afganë në Kosovë.

Numri i tyre është mbi 110, ndërsa janë larguar nga Afganistani pas tensioneve të fundit atje.

Të mërkurën, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçka, ka deklaruar se “Kosova do të pranojë rreth 2 mijë afganë”.

Kjo me kërkesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi janë shfaqur shqetësimet se bashkëpunëtorët e SHBA-vë në Afganistan “do të persekutohen” nga talebanët.

Lexo edhe:
Kurti: Masat nuk po respektohen, do të shqiptohen gjoba

Për këtë, kryeministri, Albin Kurti, deklaroi gjatë pritjes së afganëve se kur është në pyetje SHBA e NATO, nuk pyesin PSE, por vetëm SI.

“Kur është në pyetje një çështje humanitare, kur janë në pyetje aleatët dhe partnerët tanë siç është SHBA-ja dhe NATO-ja, ne nuk themi pse, por ne themi vetëm si. Pra të gjitha pyetjet që i diskutojmë janë vetëm të natyrës teknike”, ka deklaruar Kurti mbrëmjen e së dielës.

Grupi militant, talebanët morën pushtetin në Kabul, pasi SHBA-të filluan të largoheshin nga Afganistani. 31 gushti është data e fundit e cila është vendosur për largimin e tërësishëm amerikan nga vendi që tash qeveriset prej talebanëve.