Lajme

Kurti: Masat nuk po respektohen, do të shqiptohen gjoba

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare se “do të shqiptohen gjoba për këdo që shkel masat anti-COVID”.

Kreu i Ekzekutivit, deklaroi se kanë marrë masa anti-COVID, por shtoi se “ato s’po respektohen”.

Lexo edhe:
36 të vdekur nga Coronavirusi në Kosovë

”Natyra e përhapjes së këtij virusi në këtë variant është eksplozive. Dje morëm një vendim për disa masa kufizuese, megjithatë është brengosëse shkalla e respektimit të tyre”, ka thënë Kurti

Të dielën u raportuan 36 vdekje si pasojë e COVID-19. Qeveria tregoi për veprimet që do t’i ndërmarrin.

“Do të ketë zbatim të pakompromisë të masave, inspektorët dhe policia hyjnë në fazë të re. Ne do të themelojmë Komitetin për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së Covid-19”.

“E dini që të premten, pra pardje, e kam liruar nga detyra zv. kryeshefin e AVUK-it dhe pozita e tij ka qenë e paligjshme. Kemi ushtrues të ri të detyrës dhe ne e kemi bërë përzgjedhjen tashmë dhe kemi listën me emra”, deklaroi Kurti.

Kurti shtoi se situata e rëndë është krijuar për shkak të variantit delta.

Po ashtu theksoi se personat e vaksinuar nuk duhet të veprojnë lirshëm, pasi vaksina mund ta zvogëlojë rrezikun, por jo në tërësi.

Gjithashtu, deklaroi se qytetarët nuk duhet të vendosin vetëm për vaksinën “Pfizer”, por edhe për atë AstraZeneca”.

“Unë i kam marrë të dy dozat AstraZeneca”, ka thënë ai.

Albin Kurti foli edhe për reagimet e personelit shëndetësor rreth shtesave prej 60 uro.

“Është e pamundur që për një kohë të gjatë të mbyllet vendi. Këto zgjidhje nuk janë ideale. Me atë çfarë kemi ditur kemi bërë më të mirën. Sa i përket personelit shëndetësor ne jemi pafundësisht falënderues, por për pagat e tyre ne kemi për shtesë solidariteti për 10 për qind”.

“Tash nuk është situata kur punonjësit shëndetësorë janë në rrezik siç ishte vitin e kaluar ndërkaq për punën shtesë patjetër që do të kompensohen”, ka thënë ai.