Lajme

Aliu: Po përballemi me nacional-shovinizmin serbomadh, do punojmë që të vendosim ligjin në çdo cep të Kosovës

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu

Ministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu ka thënë se janë duke u përballur me nacional-shovinizëm serbo madh të cilin e njohin mirë.

Përmes një postimi në Facebook, Aliu ka thënë se do të punojnë ditë e natë për qytetarët e Kosovës për të vendosur ligjin në Kosovë.

“Orët e ditët e javët në vijim mund të jenë sfiduese e problematike. Po përballemi me nacional-shovinizmin serbomadh që e njohim mirë. Do të punojmë ditë e natë, do të jemi në krye të detyrës, për juve si qytetarë dhe për Republikën tonë demokratike. Dhe, së bashku arrijmë të ngadhënjejë rendi e ligji duke i vendosur ato në çdo cep të vendit”, shkroi Aliu.

Lidhur me situatën e krijuar në veri, Aliu ka thënë se organet shtetërorë janë duke e mbikëqyrur gjendjen dhe po veprojnë në mbrojtje të ligjit dhe integritetit territorial.

“Qeveria e Republikës është demokratike e progresiste, që respekton dhe zbaton ligjin dhe kushtetushmërinë, paqen dhe sigurinë, për të gjithë qytetarët pa dallim dhe për mbarë vendin tonë të përbashkët. Organet e rendit dhe të sigurisë së shtetit tonë po mbledhin informacione, po mbikëqyrin gjendjen dhe do të veprojnë, në mbrojtje të ligjit dhe të qytetarëve, të sovranitetit dhe integritetit tonë territorial”.

Barrikada rrugës për në Bërnjak
Lexo edhe:
Nga 1 gushti Kosova nuk lejon në kufi personat me dokumente të Serbisë pa u pajisur me dokumente hyrse/dalse

Qeveria pati vendosur që më 1 gusht do të niste lëshimi i të ashtuquajturave dokumente për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë.

Ky dokument do të lëshohej në të gjitha pikëkalimet tokësore dhe ato ajrore, si dhe do të ishte i vlefshëm për 90 ditë, ashtu sikurse dokumenti që autoritetet serbe lëshojnë për shtetasit e Kosovës kur të hyjnë në Serbi.

Po ashtu të hënën pritej të hynte në fuqi edhe vendimi për riregjistrimin e makinave me targa me akronime të qyteteve të Kosovës që lëshohen nga Serbia. Vlerësohet se 10.000 makina me targa si KM (Mitrovica e Kosovës), PZ (Prizren) UR (Ferizaj) e të ngjashme, qarkullojnë në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Sipas vendimit të marrë më 29 qershor nga Qeveria e Kosovës, afati për riregjistrimin e makinave do të zgjaste deri më 30 shtator.

Lexo edhe:
Serbët vendosin barrikadë në pikën kufitare në Bërnjak

Barrikadat janë vënë më 31 korrik nga serbët lokalë të Kosovës, si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të 29 qershorit të Qeverisë së Kosovës për targat e makinave që lëshojnë autoritetet e Serbisë me akronimet e qyteteve të Kosovës dhe dokumentet për hyrje/dalje për qytetarët serbë kur të hyjnë në njërën nga pikat kufitare në Kosovë.

Lexo edhe:
Qeveria shtyn vendimin e reciprocitetit me Serbinë për targat dhe dokumentet

Qeveria e Kosovës ka shtyrë zbatimin e vendimeve – që ishin planifikuar të zbatoheshin nga 1 gushti – duke thënë se dënon ashpër bllokimin e rrugës në veri të Kosovës.

“Kryeministri Kurti së bashku me Presidenten Osmani dhe zëvendës kryeministrat Bislimi e Gërvalla kanë zhvilluar kontakte e takime me faktorët ndërkombëtarë amerikanë dhe evropianë. Me këtë rast, Qeveria e Kosovës jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të datës 29 qershor 2022, deri me datën 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës”, është thënë në njoftimin e Qeverisë.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i ka kërkuar të dielën Qeverisë së Kosovës që të shtyjë për 30 ditë zbatimin e vendimeve./Shqip.com