Lajme

Qeveria shtyn vendimin e reciprocitetit me Serbinë për targat dhe dokumentet

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti

Qveria e Kosovës ka marrë vendim që të shtyej për datën 1 shtator masat e reciprocitetit me Serbinë për targat dhe dokumentet.

Ky vendim, siç njofton Qeveria ka ardhur pas bisedimeve me faktorët ndërkombëtarë, amerikanë dhe evropianë.

‘Kryeministri Kurti së bashku me Presidenten Osmani dhe zëvendës kryeministrat Bislimi e Gërvalla kanë zhvilluar kontakte e takime me faktorët ndërkombëtarë amerikanë dhe evropianë. Me këtë rast, Qeveria e Kosovës jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të datës 29 qershor 2022, deri me datën 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Para pak minutash, Osmani dhe Kurti zhvilluan një takim në Presidencë me ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier.

Pas takimit, Hovenier ka thënë se kërkesa e SHBA-së është që të shtyhet për 30 ditë implementimi i reciprocitetit për dokumente me Serbinë.

Bllokimi i rrugës në Bërnjak

“Kam ardhur këtu sot sepse, jam i shqetësuar për situatën në veri të Kosovës. Së pari dua të flas pak për vendimet për dokumentet për hyrje dhe largim nga vendi dhe vendimin për targat dhe dokumentet. Nga perspektiva e Shteteve të bashkuara të dy vendimet janë të duhurat dhe konsistojnë me marrëveshjen e Brukselit. SHBA-t nuk kanë asnjë kundërshtim për këto vendime, por ne kemi pasur dialog me qeverinë për zbatimin e këtyre vendimeve dhe kohën e tyre”, tha ai.

Në anën tjetër, misioni paqeruajtës i NATO-së në Kosovë, KFOR, situatën në veri e ka cilësuar të tensionuar dhe ka shprehur gatitshmërinë për ndërhyrje në rast të rrezikimit të stabilitetit të sigurisë në veri.

Lexo edhe:
KFOR: Siguria në veri është e tensionuar, jemi të gatshëm të ndërhyjmë

Serbët lokalë në veri të Kosovës kanë bllokuar me kamionë, dhe me mjete tjera, rrugët që çojnë drejt dy pikëkalimeve kufitare që lidhin Kosovën dhe Serbinë – Jarinjë dhe Bërnjak.

Protesta e serbëve lokalë vjen një ditë para se të hyjnë në fuqi dy vendimet e Qeverisë së Kosovës, që kanë të bëjnë me targat dhe dokumentet serbe.

Sipas vendimit të Qeverisë, të gjithë qytetarët e Serbisë që do të hyjnë në territorin e Kosovës do të pajisen me një dokument të hyrje-daljes, që do të jetë i vlefshëm për 90 ditë.

Me një dokument të tillë, qytetarët e Kosovës pajisen qe 11 vjet, sa herë që hyjnë në territorin e Serbisë./Shqip.com