Kulturë

Albana Beqiri / Meqë është dita e poezisë…

Fotografia ilustruese
Fotografia ilustruese

Shkruan: Albana Beqiri

Albana Beqiri / Poete dhe tregimtare

Meqë është dita e poezisë…

Në ditën e saj, poezia përdoret, stërpërdoret, keqpërdoret e mirëpërdoret aq sa bëhet telef sidomos në facebook, ku nuk mbetet pothuaj kurrkush pa publikuar një poezi: ata që shkruajnë- poezi të vetat, ata që aspirojnë me qenë poetë qoftë edhe thjesht të FB-së- po poezi të vetat, ata që nuk duan të mbeten mbrapa e duan të tregohen të lexuar, ndonëse nuk shkruajnë vetë- poezi të poetëve të njohur, sa më i njohur poeti, aq më e lartë shkalla e shpërfaqjes së kulturës etj.

Me rëndësi është se, poezia përkujtohet ani pse me të njëjtën shpejtësi virale si ta zëmë përkujtohet pavarësia, urohet Viti i Ri, Krishtlindjet, Bajrami, pashkët apo në fundvitet shkollore defilojnë librezat me sukses shembullor të fëmijëve, veçmas atyre deri në klasën e pestë.

Në fund të fundit asgjë të keqe nuk ka nëse qoftë edhe një ditë në vit pothuaj unanimisht rrjeti i miqve virtualë ia kushton poezisë, duke publikuar qoftë edhe poezi të dobta, poezi që s’janë të tilla, pseudokrijime të vjedhura apo çfarëdo lloj vargëzimesh që i quajnë poezi.

Mëhalla e FB-së është një mëhallë autonome, ku rregulli kryesor është: “unë shkruaj çkado që dua në murin tim”, e meqë nuk ka filtra të mirëfilltë në atë që publikohet, është pak e vështirë ta ruash qoftë kualitetin, qoftë standardin e pretenduar. Mbase e gjitha kjo bëhet për më shumë vëmendje, për disa pëlqime më shumë, me shkallën e së cilave nuk dua të merrem. Ajo që  më bën më shumë përshtypje në këtë entuziazëm viral janë komentet befasuese e bombastike. Lëvdata e elozhe gërrditëse, veçmas kur shoqërohen me ndajshtimin “poet/e” drejtuar njëri- tjetrit, aq qesharake në thelb e që në një mënyrë apo në një tjetër e nxjerr zbuluar “mbretin lakuriq”, vetëm se aty në zonën shpërthyese të komenteve, pothuaj asnjëherë nuk gjendet një fëmijë i sinqertë që të dëshmojë zëlartë se mbreti është lakuriq. Jo, të gjithë bëjn(m)ë sikur nuk e shohin(m) lakuriqësinë, e nga kjo sjellje hipokrite nuk amnistohen as ata që nuk bëjnë lavde për qepjen mjeshtërore e ngjyrat e bukura të rrobeve mbretërore që nuk egzistojnë (në këtë rast poezisë).

Por, është dita e poezisë e kur tjetër pos në ditën që është e saja Poezia shndërrohet e trajtohet si mbretëreshë, pse jo dhe e rrjeteve sociale?

Vetëm se, në mendjen time prej lexueseje pasionante të poezisë nuk mund të mos sillet dyshimi që më bren kur shoh gjithë këtë dëshirë virale për t’u sjellë, dukur apo hequr si poetë (këtu fus edhe poetet që shpesh janë më të zëshmet) nganjëherë edhe të mëdhenj.

Në perceptimin tim poezia është shumë më elitare se çdo lloj tjetër krijimi, ajo është e gjitha frymëzim dhe shpirt e vështirë ta pranoj përqasjen e saj si një lloj krijimi artistik që ka misionin të përbashkojë masat. Nuk e di pse, por sa herë mendoj për poezinë, asocimi i parë që më vjen ndërmend është ekuivalentja e saj në muzikë, violina: të dyja njësoj elegante, njësoj fine, njësoj të përshpirtshme në tingullimin e tyre brilant! Kur shoh këtë inflacion të çuditshëm të poezisë sidomos në rrjetet sociale, paramendoj sesi do të kishte gëluar FB-ja nga vidiot e violinistëve amatorë nëse të interpretoje në violinë (apo çfarëdo instrumenti tjetër) do të ishte po aq “e lehtë” sa të vargëzoje duke vjedhur apo kopjuar pa të keq.

Nuk e kam kuptuar asnjëherë gjithë këtë ngarendje viralo- poetike në rrjetet sociale, madje në thelb e quaj absurde, aq më tepër që falë lehtësirave që të krijon interneti, “materiali poetik” që defilon në rrjetet sociale është vështirë i kontrollueshëm së pari sa i përket autencitetit e origjinalitetit. Nuk janë të pakta rastet kur (pseudo)poetët e mëhallës së FB- së akuzojnë njëri-tjetrin për vjedhje, ndërkohë që për një njohës mesatar të letërsisë së mirë, në këtë rast poezisë, mjafton që me një lexim të vëmendshëm të identifikojë nga ku e kanë “huazuar” frymëzimin e tyre të dy poetët!…

Ndërkaq, ka edhe nga ata poetë/e (kategoria e tretë, ajo e vëzhguesve të paanshëm në grindje të tilla poetike) që bëjnë pëlqime e komentojnë tek statuset e të dy palëve, me të njëjtin zell hipokrizie me të cilin u thurin lavde gërrditëse në poezitë e publikuara.

Kjo është një lloj hipokrizie ngjitëse e përçudne, e cila i bën dëm shijes për poezinë e mirë dhe veçmas ndikon te ata lexues- rishtarë të poezisë, të cilët duke e parë artin e poezisë nga prizmi i një lloj egzotike moderne, poezitë e para i lexojnë në FB e jo në libra.

Hipokrizia në këtë ditë të poezisë vazhdon edhe përtej rrjeteve sociale, ajo spostohet edhe te manifestimet më të institucionalizuara, zakonisht te orët letrare, takimet mes poetëve ku kryesisht ka lexime të poezive nga vetë poetët, lavde mes tyre, dhe po të njëjtat komente zhurmëmëdha e pa bereqet. Kryesisht janë organizime që bëhen në bazë të rrethit të njohjeve e të konsideruara si ndere që bëhen brenda një klani të caktuar, madje nuk ka asgjë për t’u çuditur nëse në manifestime të tilla sheh tek kukurisen si gjeli majë plehut edhe poetë mediokër të FB-së, të cilët me metodat që i dinë vetëm mediokrit gjejnë rrugën e depërtojnë prej rrjeteve sociale drejt e te manifestimet institucionale të poezisë duke e prerë kështu biletën e siguruar dhe “liçencën” e poetit/es së pranuar “institucionalisht”, madje me pretendime që në ndonjë rast të kenë edhe fjalën kryesore në tryezat e të mëdhenjve… Me të njëjtën frymë ndahen edhe çmimet që nga ato të manifestimeve poetike të mëhallave e deri te çmimet kombëtare…

Edhe reçensionet apo refleksionet mbi librat (jo vetëm) me poezi, kryesisht shkruhen në bazë të miqësive e ndereve ndaj dhe për njëri- tjetrin e kështu kupton se kjo kalamendje që e ka kapluar standardin dhe rendin e vlerave (edhe në poezi) nuk mund dhe nuk duhet të përkufizojë barrën e fajit vetëm tek inflacioni i poezisë prej (keq)përdorimit të saj në rrjetet sociale.

E nëse siç ka thënë shkrimtari italian Italo Calvino, “poezia është arti i futjes së detit në një gotë”, dyshoj shumë se këta pseudopoetë të kudogjendur kanë mundur që të bëjnë bashkë dy pika ujë të zakonshëm, se dy pika ujë deti jo se jo e për futjen e tyre në gotë as që bëhet fjalë.

Tek e fundit edhe poetët apo pseupoetët e FB-së do t’i shoshisë koha, do t’i seleksionojë vetë teknologjia e cila ndryshe nga libri i shkruar nuk e ka kujtesën aq afatgjatë.

Poetët e vërtetë dhe poezia e vërtetë, ata po, do të mbijetojnë e jetojnë gjatë.

Jo vetëm në një ditë.

Por në të gjitha ditët e do të lexohen me përshpirtjen që transmeton poezia e bukur!

/Shqip.com