Kulturë

Albana Beqiri / Marramendja

Albana Beqiri / Shkrimtare, poete, gazetare...
Albana Beqiri / Shkrimtare, poete, gazetare...

Shkruan: Albana Beqiri

MARRAMENDJA

Trupi i dridhej dhe gati i papeshë i bëhej se fare pa gravitacion binte e rrëshqiste poshtë, diku poshtë këmbëve të saj në një hon që përpiqej ta gllabëronte të tërën, pastaj pa asnjë paralajmërim rëndohej aq shumë sa mezi ku hidhte hapat, sytë i rëndonin nga një lloj mundimi që nuk mundej t’i vinte emër, fryma gati i merrej, trupi sërish dridhej nga ndjesia e mungesës së peshës, pastaj për të qindën e sekondit rëndohej prapë si të ishte amalgamë një tonëshe eshtrash, gjaku, mishi e dhjami, mendja i rrotullohej me shpejtësi marramendëse, humbte ekuilibrat, mbyllte fort sytë e lodhur dhe me sytë e mendjes kërkonte një krah imagjinar ku të mbështetej.

Gati rrëzohej, mblidhte veten, shtrëngonte fort dhëmbët sikur donte t’i kërcënohej dikujt që as që e dinte se kush ishte, dikur ja dilte të qetësohej disi, por ndjesia e marramendjes nuk i hiqej.

Frika se diçka e keqe po ndodhte brenda trupit të saj e kishte paralizuar të tërën, nuk e linte as të mendonte me qetësi, as të vepronte. Nëse nuk do të ishte kjo frikë mbytëse që e kishte paralizuar, tani do kishte qenë duke vrapuar spitaleve, duke bërë një mal analizash që do t’i tregonin gjendjen e saj shëndetësore, kështu bënte në fakt edhe nëse i dhembte qepalla, por ja tani që kishte vërtet arsye të shqetësohej për shëndetin, ishte mpirë nga frika dhe e pafuqishme të ndryshonte diç në këtë situatë që dukshëm po i rrëshqiste nga duart, çuditërisht ishte vënë në pritje të asaj që mund të ndodhte, edhe në vëzhgim sigurisht.

Druhej ta përmendte vdekjen, por ideja e saj e kishte pushtuar të tërën, ishte kryefjala e gjithë atyre ditëve.

Përpiqej të gjente shenja që mund të merreshin si paralajmëruese të vdekjes, por nuk dinte t’i lexonte, në luftën e gjatë me sëmundjen, përgjatë atyre viteve që ishte ndeshur me të, nuk kishte arritur ta mësonte alfabetin e shenjave të tilla, as të parandjenjave, mbase kjo ishte dhe arsyeja që ja kishte dalë të mbetej gjallë deri tani.

Kujtonte gjithë njerëzit e dashur që zemërthyer kishte përcjellë në atë botë dhe donte aq shumë të dinte sesi ishin ndier para se vdekja të trokiste në derën e tyre, a kishin lexuar diku ndonjë shenjë paralajmëruese, a kishin pasur në të vërtetë ndonjë parandjenjë se vdekja po afrohej?

“Por edhe sikur të kishin lexuar ndonjë nga ato dreq shenjash çfarë do kishte ndryshuar?”, pyeti veten në një moment dëshpërimi që s’dihej nga i vinte. Mbase nga frika që e kishte paralizuar, ia kishte ngurosur gjymtyrët dhe mendimet që pothuaj memece e shpinin në ca shtigje që ajo nuk i njihte. Ishin mbase shtigjet e vdekjes, në të cilat ajo kishte ecur me vite, por që tani, këtë herë nuk po i kujtoheshin.

Diçka e keqe, shumë e keqe duhej të kishte ndodhur brenda trupit të saj, diçka që përhapej tinëzisht brenda duke reflektuar jashtë shenja të dukshme si ajo dreq marramendje e mallkuar që i ishte kthyer në shoqëruese permanente. Dhe ajo, e frikësuar deri në palcë, rrinte dhe e vëzhgonte, duarkryq pa mundur të ndërmarrë asnjë hap.

Më shumë se e frikësuar duhej të ishte e lodhur, e lodhur nga gjithçka, nga lufta për jetën dhe nga vetë jeta.

“Edhe sikur të vdes çfarë të keqe do kishte për botën?”, pyeti veten në një moment kthjellimi. “Asnjë, ajo as do e vërente vdekjen time, që në atë moment do vazhdonte njësoj si përpara”, u përgjigj po vetë, e bindur se tashmë vdekja mund të ishte nisur rrugës për ta marrë. Nuk iu qa, as nuk ndjeu dhembje, madje as frikë. Përgjatë viteve të gjatë të përballjes me sëmundjen kur e kishte menduar vdekjen, gjithmonë ishte frikësuar për atë zhdukjen e menjëhershme nga kjo botë sikur të mos kishte ekzistuar kurrë, nuk arinte në fakt ta kuptonte sesi bota mund të vazhdonte e patrazuar jetën edhe pa të. Tani frikëra të tilla i dukeshin të pakuptimta dhe absurde, ishin zhdukur sikur t’ia kishte hequr ndokush me dorë.

“Në fund të fundit, kë do të lë keq edhe po tē vdes?”, pyeti sërish, këtë herë e pajtuar përfundimisht me idenë e vdekjes së pashmangshme.

Ndjeu sërish marramendjen bezdisëse, trupi filloi t’i mbushej me drithërima e bulëza djerse që filluan të pikin si rigë shiu fillimisht nënsqetullave, pastaj qafës e lugut të gjinjve e pastaj krejt kurrizit, sytë iu rënduan sërish, ishte e shtrirë në shtratin e saj ku me vite kishte kaluar dergjën e sëmundjes, mendja filloi t’i vinte rrotull dhe sërish e ndjeu veten të lehtë e të papeshë, pa me sytë e mendjes shpirtin si shkëputej nga trupi i cili vetëm disa minuta më pas iu rëndua si të ishte një tonelatë eshtrash, mishi e gjaku, sytë iu rënduan dhe më dhe ndjeu sesi përhumbej brenda atij boshllëku që kishte kohë që po e përthithte. Iu dha pa asnjë rezistencë përhumbjes që e kishte kapluar trup e shpirt e zemër dhe ndërsa sytë po i fikeshin, mendimet po ashtu e trupi po i rrëshqiste drejt honit përthithës të harresës iu lut Zotit që kur të zgjohej, edhe në botën tjetër po të ishte, të zgjohej e qetë pa atë marramendje të çuditshme e munduese, pa asnjë dhembje, sidomos pa ato të shpirtit. Të kishte harruar gjithçka që e bënte të palumtur.

/Shqip.com