Kulturë

Albana Beqiri / E pakthyeshmja

Albana Beqiri, poete dhe tregimtare
Albana Beqiri, poete dhe tregimtare

A më do?- nuk e mbante mend as vetë sa herë ia kishte bërë këtë pyetje gjysmë me shaka, gjysmë ashtu vërtet, jo se nuk ishte e bindur në dashurinë e tij, por ngaqë ndjente nevojën që ai t’ia kujtonte e rikujtonte vazhdimisht e vazhdimisht sesa shumë e donte.

Nga ana tjetër heshtje.

Nuk mu përgjigje. A më do?- këmbënguli ajo pa iu trembur heshtjes së tij. Ndjente nevojë për të bashkëbiseduar me të, për ta ndjerë më afër, qoftë edhe falë kësaj bisede të rastësishme. E dinte që ai shpesh nuk ishte në të njëjtat valë me të, dikur kjo e shqetësonte shumë, bëhej madje edhe shkaktare për grindje të njëpasnjëshme që nuk dihej ku dhe pse fillonin e as ku mbaronin, tani dukej se kishte mbushur mend, nuk shqetësohej më me të njëjtin intensitet si dikur, as fyhej më njësoj, as trembej se ky ishte fillimi i fundit, tani i binte më shkurt me një “si të dojë”, i ngrinte figurativisht duart në shenjë dorëzimi për shkak të lodhjes që kishte filluar të ndjente sa herë i duhej të përjetonte asi trazimi të papërshkrueshëm me fjalë për shkak të grindjeve e zënkave të kota. “Në fund të fundit, unë s’mundem ta mbaj dot nëse ai do të ikë, i thoshte vetes, edhe po të çmendem krejt nuk do e mbaj dot. Kështu që nëse kaq i bën për këtë raport, atëherë le të jetë kështu. Le të ikë e të çlirohet. E kotë ta torturojmë njëri tjetrin në kësi zgripesh e lëndimesh ku jemi futur”. E në të gjitha herët që fillonte të mendonte seriozisht se gjithçka mes tyre kishte marrë fund, sa herë fillonte ta bindte veten se s’do ta shihte më, ai befas futej në valët e saj dhe sikur e kuptonte që nëse kjo heshtje do të vazhdonte edhe pak, do të ishte e pakthyeshme, përfundimtare e kështu, kur ajo i kishte humbur të gjitha shpresat se ai do të shfaqej, ai bënte pikërisht këtë: bëhej i gjallë, shfaqej. E ajo, ajo e përbetuara se nuk do të gënjehej më prej fjalëve të tij i harronte të gjitha premtimet e betimet e bëra vetes dhe, dhe, dhe… vraponte pas tij.

Ndërsa i sillte në mendje të gjitha këto, iu kujtua se përgjigja e tij po vononte.

Këmbënguli sërish: pse nuk më kthen përgjigje? Kaq të vështirë e ke?

Ai kishte vendosur ta thyente heshtjen : po është pyetje kaq idiote sa nuk ja vlen as të përgjigjesh.

Pyetje idiote ose jo, ti përgjigju, kaq kërkoj prej teje- këmbëngulja e saj karakteristike ngriti krye edhe në këtë rast.

Mirë pra, të dua shumë- vetëm një “a u kënaqe tani?” mungonte në përgjigjen e tij të dhënë si nga zori, përgjigje që megjithatë asaj i pëlqente dhe e qetësonte. Jetonte në një si alarm të përhershëm, me frikën e pashpjegueshme se megjithatë në një nga ditët që do pasonin do e humbte. Nuk kishte ndonjë arsye të qenësishme për ta pasur gjithë këtë frikë, e, edhe pse nuk e shpjegonte dot se nga i buronte e gjitha, ajo vërtet ishte e frikësuar se në një nga ditët do ta humbte vërtet.

Dhe, edhe nëse dikush do t’i kishte thënë më parë se kjo mund të ndodhte pikërisht kështu, ajo nuk do ta kishte besuar kurrë se do e humbte nga një fjali e vetme. Kishin kaluar aq shumë furtuna zënkash e ndarjesh dhe ja ku ishin, të pamposhtur e sipas saj të dashuruar si kurrë më parë, andaj për të do dukej absurde që ndarja të vinte vërtet nga një fjali e vetme.

Shpirt, a fjete mirë?- e kishte pyetur një pasdite e bindur se ai nuk ishte shfaqur fare sepse kishte bërë gjumin karakteristik të pasdites.

Nuk fjeta, se pata frikë se nuk do më zërë gjumi natën- përgjigja e tij e gjeti të papërgatitur, kishte qenë e bindur që vetëm gjumi e kishte ndalur atë të mos shkëmbenin së paku ca fjalë në pasditet e tyre, që ajo i kishte konsideruar gjithmonë si të shenjta. Dhe ai e dinte këtë, e dinte mirë sepse edhe nëse ndodhte ta harronte, ajo nuk reshte së ja kujtuari. I donte ato pasdite kur bisedonin ndoshta edhe për gjëra shumë periferike apo sipërfaqësore, por bisedonin ama dhe këto biseda e bënin ta ndjente edhe më afër, të ndihej superiore mbi të gjitha vështirësitë, pengesat dhe limitet që i shoqëronin në këtë udhëtim të përbashkët dashuror.

Nëse s’ke fjetë, atëherë pse nuk u shfaqe?- kjo pyetje i doli natyrshëm dhe pa asnjë lloj paramendimi.

Sepse nuk kisha asgjë për të thënë- nga ana tjetër e komunikimit të tyre virtual erdhi  kjo përgjigje që e gozhdoi të tërën. Nuk po ju besonte syve. Për një çast iu bë t’i jepte fund gjithçkaje ashtu thjesht pa ndonjë ceremoni, me qëllimin e vetëm të mos e shkatërronte më veten në një lidhje kaq të paqëndrueshme, por u përmbajt. Heshti për një çast, jo se nuk kishte çfarë të thoshte, por sepse i dridhej i gjithë trupi nga fjalët e tij që si turjelë ia kishin shpuar pamëshirshëm jo vetëm trurin, por edhe shpirtin. Vazhdonte të dridhej, ajo fjali e thënë ndoshta pa qëllimin që ta shqetësonte deri në këtë masë, ia kishte përplasur në fytyrë të vërtetën e hidhur: lidhja e tyre kishte marrë fund. Kishte ndodhur ajo që aq shumë ia kishte pasur frikën: e kishte humbur, prej një fjalie të thjeshtë “sepse nuk kisha asgjë për të thënë”. Ufff, zemra po i plaste prej dhembjes dhe mërzisë.

Pse nuk flet?- këtë herë ishte ai që këmbënguli në bashkëbisedim, por ajo ndihej si e zënë në çark, po përtonte t’ia niste shpjegimeve e fjalëve që e dinte se ku do e shpinin, jo më te një zënkë e radhës, por këtë herë te ndarja përfundimtare.

Sepse kam mbetur pa fjalë. Deri këtu paskemi mbërritur?- me apo pa përtesë fjalët i kishin rrëshqitur nga goja si gulçim i dalë nga shpirti i thyer në mijëra copa.

Ku? Ku kemi mbërritur?- dukshëm i sfiduar ai tani ishte joshur nga biseda.

Në këtë pikë pra, në pikën që nuk kemi ç’ti themi më njëri-tjetrit. Kjo nuk është shenjë e mirë.- edhe pse donte aq shumë të vazhdonte e t’ia numëronte një nga një të gjitha ato që mendonte bash për këtë pikën zero ku paskësh qenë katandisur lidhja e tyre, nuk e bëri. Ndjehej aq shumë e lodhur, qoftë edhe nga mendimi se tani i duhej të futej në një spirale fjalësh e debatesh të kota, sepse e dinte që ai do ta kundërshtonte atë që ajo sapo tha. Dhe e bëri. Ajo e vazhdonte bisedën mekanikisht sa për forcë zakoni apo inerci apo edhe që ai të mos e bënte fajtore si gjithmonë për zënkat e tyre. Vetëm se këtë herë e dinte se nuk do të ishte thjesht një zënkë. Këtë herë mbase edhe pa e pasur qëllimin aty, ai ia kishte bërë me dije se gjithçka kishte marrë fund, krejt thjesht, pa ndonjë sforco a dramë, vetëm duke i pohuar të vërtetën e dhimbshme e lakuriqe: u ishin mbaruar fjalët, nuk kishin më çfarë t’i thoshin njëri-tjetrit, së paku ai po. Vazhdonte të dridhej. Fundi kishte ardhur pashmangshëm, por edhe çuditshëm. U munduan t’i jepnin jetë bisedave mes tyre edhe një ditë tjetër, ai shkruante diçka e ajo përgjigjej e akulluar, ashtu si për inerci, sepse në çdo fjalë të tij përfytyronte mundin e tij për t’igjetur fjalët për t’i thënë ato që nuk i ndjente më, gjë që as këtë nuk e bëri gjatë, sepse si vetjak që ishte nuk mund të dilte për një kohë të gjatë nga vetvetja dhe zona e tij e rehatisë, as të jepte nga vetja, qoftë edhe për t’ia bërë asaj pak më të lehtë përballjen me të vërtetën e hidhur. Pas një shkëmbimi mesazhesh në dukje plot dashuri, ai u zhduk, u tret sikur ta kishte përpirë dheu.

E pajtuar plotësisht me krejt çka kishte ndodhur, ajo u tërhoq në guacën e vet, duke u munduar të lëpinte plagët si ajo kafsha e plagosur, vetëm se e kishte shumë të vështirë: ishte pothuaj e pamundur të mbërrije te plagët e shpirtit, me gjasë nuk kishte melhem për to, përveç mbase kohës. Ishte aq e lodhur, e tronditur dhe e shkallmuar prej dhembjes sa vetëm te koha që rridhte i kishte varur shpresat, mbase siç thoshin, ajo do ja shëronte plagët.

Jetonte jermin e ditëve që shkonin kot, e mpirë deri në qelizën më të fundme, e dorëzuar, vetëm se, vetëm se, vetëm se… nganjëherë e merrte malli për atë gjendjen krejt free kur e ngucte me pyetjen vërtet të pakuptimtë: a më do?

(Tregim)

/Shqip.com