OP-ED Kolumne

Aferat korruptive para së cilave prokuroria dhe mediat i kanë mbyllur sytë!

Xhevdet Pozhari
Xhevdet Pozhari

Publikuar:

Në emisionin Context/ATV, ministri i bujqësisë, Faton Peci, denoncoi raste të rënda të korrupsionit që janë evidentuar në raportin e auditorit. Protagonisti i parë ishte drejtori i Institutit Bujqësor të Kosovës, Fehmi Geci.

Fehmi Geci, pozitën e drejtorit e mban që nga viti 2010. Njeriu i cili njihet edhe si vëllai i Sabit Gecit, së fundmi është evidentuar se ia ka ndarë vetes një tender në vlerë të 1.4 milionë eurove për inventarizimin e tokave bujqësore. Në ARBK, kompania e cila figuron si fituese e këtij tenderi ka adresën e drejtorit të bujqësisë, Fehmi Geci. Raporti i auditorit për këtë tender flet edhe për keqplanifikim dhe keqmenaxhim gjatë periudhës së zbatimit të tij.

Emri i Fehmi Gecit nuk lakohet vetëm në këtë rast të paprecedentë të keqpërdorimit. Ai figuron në shumicën dërrmuese të komisioneve për dhënien me qera të pronave në pronësi të Institutit Bujqësor nga Prishtina deri në Fushë-Kosovë. Sipas ministrit të bujqësisë, Faton Peci, këto kontrata nuk kanë as validitët, as arsyeshmëri ekonomike dhe janë jashtë kritereve të tregut. Pra, me një fjalë, janë dhënë me çmime qesharake. Pjesë e shumicës së komisioneve për vlerësimin e kontratave ka qenë prapë Fehmi Geci, ndonëse një gjë e tillë është mundësuar kundërligjshëm me autorizimin e ish-sekretarit të ministrisë së bujqësisë.

Po ashtu, Geci është përgjegjës edhe për dhënien e 258 hektarëve me qera në Stankaj të Rugovës. Të tillët kanë përfituar nga mungesa e ligjeve dhe e udhëzimeve administrative të cilat ua kanë mundësuar keqpërdoruesve të veprojnë lirshëm.

Se sa është i lidhur trash zinxhiri i korrupsionit flet fakti se në momentin që është proceduar rasti në komisionin disiplinor për të trajtuar shkeljet, të gjithë anëtarët e komisionit disiplinor janë sëmurë! Si rezultat, lënda e Fehmi Gecit ka mbetur e patrajtuar, të paktën deri më tani.

Se drejtori i Institutit Bujqësor nuk është i vetmi, flasin edhe rastet e tjera, cila më skandaloze se tjetra.

Por, hairin pozitave ua kanë parë edhe shumë të tjerë. Rroga e vogël, fitimi i madh duket se ka vlejtur edhe për dy ish kryeshefa agjencionesh.

Deri në ç’masë ka ndodhur abuzimi me pronën e shtetit, duke e trajtuar atë si mekanizëm për të përfituar për vete apo për të mundësuar përfitime të tjerëve është edhe një shembull tjetër.

Ish-Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencionit Pyjor të Kosovës, Ahmet Zejnullahu, ka qenë prej atyre të cilët e ka trajtuar pronën e shtetit si mjet pazari. Këtë e dëshmon kontrata me nr Ref KE, 58/20 e datës, 22.01.2020 në sipërfaqe prej 2,04.75/ha përmes së cilës në ZK “Sllatinë e Madhe” Zejnullahu kolegut të tij Elhami Hajdari që ishte kryeshef  i Agjencionit për Zhvillimin e Bujqësisë e shpërblen me kontratë.

Pasi e shpërblen edhe me kontratën me Ref KE 429/21 të datës 15.06.2021 në të njëjtën zonë me sipërfaqe prej 1,09.41.ha, pavarësisht se kontrata ishte bërë pas konstatimeve se kishte filluar shfrytëzimin ilegal.

Pra, për një prokuror në një shtet ku ligji do të funksiononte për të gjithë njëjtë, këto fakte dëshmojnë se si udhëheqës institucionesh kanë keqpërdorur pronën e shtetit për t’i bërë favore njëri-tjetrit.

Edhe hetimi i kontratës me ref KE-176/21 e datës 11.03.2021 për pompë derivatesh, lehtësisht do të shpaloste se kush qëndron pas saj dhe do të  shikoje se kush qëndron prapa saj dhe do të shpaloste arsyet pse një kontratë e tillë është lidhur pavarësisht se ky subjekt kishte fletëparaqitje në Gjykatë.

Pra, një hetim i mirëfilltë do të shpaloste faktet se pse është shkëputur kontrata me Ref, KE-1194/13 dhe kush e ka tani në dispozicion kontratën me Ref, KE 91/20 të datës 07.02.2020. Kushdo që heton këto kontrata nuk do të duhej të befasohet nëse përpara i del emri i ish-Kryeshefit të Agjencionit për Zhvillimin e Bujqësisë, i cili mund të mos jetë i vetmi pronar i këtyre tokave për të jetë në bashkëveprim me të tjerë.

Këto janë vetëm disa nga pistat që do të duhej të ndiqte një prokuror për kontrata të caktuara që ish-kryeshefat ia kanë ndarë njëri-tjetrit.

Në fund fare, vet gjendja ekonomike dhe pasurimi i tyre do të ishte një pikënisje për të hetuar ata që u bënë milionerë me “pagë të shtetit”!

*Qëndrimet e autorit nuk paraqesin domosdoshmërisht qëndrimet e redaksisë. /Shqip.com

/Shqip.com