Lajme

Abdixhiku i reagon Konjufcës: Shtyrja e zgjedhjeve është sulm mbi demokracinë

Lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku

Deklarata e kryeparlamentarit Glauk Konjufca, se zgjedhjet në Kosovë duhet të shtyhen për një datë tjetër për shkak të situatës me pandeminë, sipas liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, është “sulm mbi demokracinë”.

Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje po mundohet ta shfrytëzojë situatën me pandeminë pasi thotë se kanë rënie të numrit të votuesve.

“Organizimi i zgjedhjeve është proces i ushtrimit të demokracisë ose fondamentit bazik të një shteti apo shoqërie dhe këtë fondament nuk bënë ta prekë askush, KQZ-ja është gati, KQZ-ja ka dëshmuar se në pandemi, pa asnjë vaksinë, me 14 shkurt ka mbajtur zgjedhje me distancë dhe maska”.

Lexo edhe:
Abdixhiku kërkon unitet politik: Fushata zgjedhore të shkurtohet në 10 ditë

“Përdorimi i një fatkeqësie për qëllime politike është atak mbi demokracinë, dhe në qoftë se të gjithë mekanizmat shtetëror të kapjes së shtetit në këtë rast vihen në shfrytëzim, atëherë po sulmohet demokracia, dhe për këtë nuk mund të kemi pajtim. Pikërisht sepse po na dhimbsen jetërat e njerëzve, kemi kërkuar reduktim të fushatës në 10 ditë për t’i shërbyer demokracisë në ditën e zgjedhjeve”, është shprehur Abdixhiku në “Rubikon” të Klan Kosovës.

I pyetur se a është LDK-ja e gatshme të ndryshoj qëndrim për shtyrjen e datës së zgjedhjeve, nëse rekomandimi vjen nga IKSHPK, Abdixhiku ka thënë se “një rekomandim i tillë do të vinte vetëm nëse Qeveria Kurti do t’u bënte presion ekspertëve shëndetësor”.

Ndërsa, lidhur me kërkesën e këtij subjekti politik që fushata zgjedhore të shkurtohet në 10 ditë, i pari i LDK-së ka pohuar se janë në pritje të përgjigjes së VV-së.

Ka shtuar se pavarësisht përgjigjes së këtij subjekti, “LDK-ja do të sillet konform logjikës së organizimit të fushatës në një mënyrë që nuk rrezikon rritjen e numrit të të prekurve me COVID-19”./SHQIP.com