Shoqata e Mullisëve të Kosovës paralajmëron ngritje të çmimit të miellit dhe bukës
Publikuar:
(08.03.2022 22:52:04)

Lufta në mes Rusisë dhe Ukrainës, ka shkaktuar një varg ngritje të çmimeve të produkteve kryesisht ushqimore por edhe të derivateve.
Kryetari i Shoqatës së Mullisëve të Kosovës, Bashkim Zejnullahu, ka paralajmëruar shtrenjtim e miellit edhe në Kosovë deri në 60 euro për 100 kg.
“100 kilogram ende jemi duke e shitur për 52. Këtë që po e shesim tash jemi tu e shit prej rezervave tona përndryshe importi ka hipur shumë”, tha ai për RTK-në.
Zejnullahu paralajmëroi edhe për shtrenjtim të bukës deri në 50 cent në tërë vendin.
Në vend janë shtrenjtuar edhe karburantet, si dhe shumë produkte të tjera bazike si sheqeri e vaji.