Lajme

KEDS: Me pretendimet e Molliqajt po merret zyra jonë ligjore

Zëdhënësi i Kompanisë Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike (KEDS), Viktor Buzhala, e ka quajtur “konstatim absurd” deklarimin e kryetarit të Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, se dy blloqe të KEK-ut janë prishur në mënyrë të qëllimshme nga KEDS-i, menaxhmenti i ri i KEK-ut dhe Qeveria e Kosovës.

Me pretendimet e tij, Buzhala ka thënë se është duke e marra zyra ligjore e KEDS-it.

“Ne nuk mundësi teknike t’i rrëzojme blloqet. Është konstatim absurd. Do të sqarohet kjo çështje në sistemin e drejtësisë”, ka thënë ai në një konferencë për media.

Zëdhënësi i KEDS-it Viktor Buzhala dhe drejtori i sistemit të operimit në KEDS, Bujar Jupaj

Sa i përket krizës energjetike në vend, Buzhala ka përmendur tre faktorë që kanë ndikuar në përkeqësimin e situatës.

E para, rritja e madhe e konsumit të energjisë, pamjaftueshmëria e prodhimit dhe kriza ndërkombëtare që i ka rritur cmimet.

“Konsumi ka arritur deri në 1400 megavat orë që nuk është shënuar asnjëherë në historinë e korporatës, prodhimi shkon në 6000 megavat. Po flasim për një mungesë që në pikun maksimal shkon në 800 megavat apo më shumë se 50 për qind e kërkesës”.

“Çmimet e importit po shkojnë 600 euro për megavat që është dhjetëfish më shumë se viti i kaluar. Për disa muaj ne e kemi bajtë barrën e furnizimit me energji të konsumatorëve, nuk kemi aplikuar reduktime deri kur na janë shterur resurset”, është shprehur Buzhala.

Mes tjerash, ai ka pohuar se ka përmirësim të gjendjes së furnizimit me energji elektrike. Siç ka thënë, përmirësimi ka ardhur pasi çmimet në tregjet ndërkombëtare kanë rënë.

“Po flasim për një përmirësim të gjendjes, pasi çmimet në tregjet ndërkombëtare kanë rënë, ka rënë edhe kërkesa pasi sot temperaturat janë 7-8 gradë plus ndërsa para dy-tri ditësh kanë qenë 7-8 gradë minus. Këtu ka rënie të konsumit dhe është përmirësuar gjendja”, ka thënë ai.

Buzhala ka shtuar se tani edhe reduktimet janë më të vogla krahasuar me ditët e kaluara.

“Nëse ka pasur reduktime nga dy orë, tashmë reduktimet janë shumë të vogla”./SHQIP.com