Lajme

Molliqaj akuzon KEDS-in se po shet energji jashtë vendit: Blloqet A3 dhe A5 u prishën qëllimisht

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj

Rënia e blloqeve A3 dhe A5, marrëveshja me Maqedoninë e Veriut për shitblerjen e thëngjillit dhe pretendimet se KEDS-i po shet energji elektrike jashtë Kosovës – janë tri çështjet të cilat i ka diskutuar të shtunën kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj.

Në një konferencë për media, Molliqaj ka thënë se rënia e dy blloqeve të lartëpërmendura ka qenë e qëllimshme dhe është shkaktuar nga vetë KEDS-i.

Qëllim i këtij veprimi, sipas tij, ka qenë që t’i prishet reputacioni KEK-ut.

Madje, ka hedhur dyshime që KEDS-i këtë veprim e ka bërë në bashkëpunim me menaxhmentin e ri të KEK-ut dhe Qeverinë e Kosovës.

“Sipas burimeve tona 10 ditë më parë ka pasur rënie të blloqeve A3 dhe A5, kishte mungesë të shtuar të energjisë elektrike. Sipas asaj që ne kemi informacione dhe që kërkojmë hetim të organeve përgjegjëse dhe të ekspertëve të fushave, rënia e blloqeve A3 dhe A5  brenda ditës duket që ka qenë e qëllimshme dhe e shkaktuar nga KEDS-i”, ka thënë Molliqaj.

I pari i PSD-së mes tjerash ka deklaruar se është shqetësuese që 10 inxhinierë janë vënë në pushim të detyrueshëm dhe ka kërkuar që KEK-u të japë llogari për këtë.

“Zhvillim tjetër negativ në Kosovën A është për herë të parë menaxhmenti i ri ka vendosur pushim të detyruar të mbi 10 inxhinierëve kryesore të prodhimit pas kësaj ngjarje”.

“Nëse menaxhmenti është duke bë hetime, duam të informohemi. Por nëse ky pushim i detyruar është për të eliminuar, kontrolluar apo sabotuar ndërmarrjen publike, kërkojmë llogari nga KEK-u”.

“Alarmante është që nga shkurti kur është themeluar qeveria asnjë kontratë për materialet shpenzuese në KEK nuk është rinovuar. Ka katër ditë që në bllokun A ka mungesës të acidit”.

Çështja e dytë, ka thënë Molliqaj, ka të bëjë me marrëveshjen me Maqedoninë e Veriut për shitblerjen e thëngjillit të Kosovës. Për këtë i ka kërkuar transparencë Qeverisë së Kosovës.

“Në bazë të informatave që i kemi, është hera e parë që në Kosovë, MZHE po merret me marrëveshje të tillë për të shitur thëngjillin. Është hera e parë që ministria bën një gjë të tillë pa përfshirë ekspertët dhe KEK-un”.

“Dyshimet janë që për çmimin potencial që Kosova do ta ofrojë për shitje do jetë 20-17 euro. Ajo që llogaritet tjetër është që për 16 euro për tonë është kostoja e transportit dhe nëse ky çmim është i vërtetë, kemi të bëjmë me 31 milionë diferencën mes asaj që qeveria e Maqedonisë është e gatshme ta blejë dhe aq sa do ta blejë nga Kosova”.

Në fund, Molliqaj ka kërkuar transparencë edhe nga KEDS-it. Ai ka hedhur dyshime se kjo korporatë po shet energji në vende të tjera dhe se po prodhon më shumë se që i duhet Kosovës.

“Sipas informatave tona, në Kosovë gjatë natës KEDS po shet energji në vende të tjera. Kërkojmë menjëherë të deklarohen se cila sasi e shitur është, në cilat orë dhe cilat vende”.

“Sipas informatave tona, pas mesnatës në bllokun A 85-95 megavat po prodhohen më shumë megavat se ka nevojë në Kosovë dhe 130-140 në bllokun B. Deri 200 megavat mund të jenë tepricë e prodhimit gjatë kësaj kohe”./SHQIP.com