Ish-kryetari i Shtërpcës dyshohet që mori mbi 1 milion euro në këmbim të lëshimit të lejeve për ndërtime në Brezovicë

Prokuroria Themelore në Ferizaj dyshon se ish-kryetari i komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, i cili u arrestua të martën si i dyshuar për ryshfet dhe korrupsion, ka marrë ryshfet mbi 1 milion euro.
Sipas kësaj prokurorie, Nikoliq ka fituar dhurata në vlerë milionëshe për lejet e lëshuara kundërligjshëm për ndërtimin e objekteve në Brezovicë, Komuna e Shtërpcës.
“Dyshohet se janë disa vila, që janë përfituar si dhurata, vetura të dhëna si dhurata për lëshimin e lejeve (për ndërtimin e shtëpizave të vikendit në parkun Sharri)”, tha prokurori Rasim Maloku në një konferencë për media të organizuar pas aksionit në Shtërpcë, e në rajonin e Ferizajt dhe të Prishtinës.
Sipas Malokut, shumica e ndërtesave janë ndërtuar kundërligjshëm.
Aksioni i koduar “Brezovica”, sipas Prokurorisë në Ferizaj, është zhvilluar në 12 lokacione në rajonin e Ferizajt, Prishtinës dhe Shtërpcës.
Sipas autoriteteve, tetë nga të arrestuarit janë nga rajoni i Ferizajt dhe dy nga i Prishtinës.
Sipas prokurorit të rastit, Rasim Maloku, hetimet për këtë rast kanë filluar në vitin 2019 dhe është ngritur aktakuzë për dhjetë persona.
“Në këtë çështje hetimet kanë filluar në vitin 2019 dhe është ngritë një aktakuzë për dhjetë persona, e cila veç është në fazën e gjykimit në Gjykatën e Ferizajt, kurse në vitin 2020 kemi bërë një hetim të ri ndaj dhjetë personave, ku pastaj e kemi zgjeruar hetimin edhe ndaj dhjetë personave”, ka sqaruar Maloku.
Ndërkaq, Agron Haziri nga Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë bastisjeve janë sekuestruar para të gatshme në vlerë prej mbi 61 mijë eurosh, tetë vetura në vlerë prej 300 mijë eurosh si dhe monedha të ndryshme, përfshirë dollarë, denarë maqedonas, dinarë serbë dhe valuta të tjera.
Po ashtu të dyshuarve u janë gjetur edhe pistoleta e pushkë ajrore, si dhe aparate për prodhimin e kriptovalutave.
Shtërpca është njëra prej gjashtë komunave me shumicë serbe në jug të Lumit Ibër në Kosovë.
Në krye të saj, që nga themelimi në vitin 2009 e deri në fund të nëntorit 2021, ishte Nikoliq, nga radhët e Listës Serbe./SHQIP.com