Rama dhe Escobar flasin për “Ballkanin e Hapur”

Kryeminitri i Shqipërisë, Edi Rama në takim me të Dërguarin e Posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, kanë diskutuar për “Ballkanin e Hapur”, përcjell Shqip.com.
Kështu ka bërë të ditur vetë Rama, përmes një postimi në Facebook, teksa ka treguar se në takim biseduan edhe për dialogun e domosdoshëm mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kënaqësi të mikprisja Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit dhe të Dërguarin e Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një takim shumë miqësor, ku folëm për partneritetin e shkëlqyer mes Shqipërisë e SHBA, rolin e rëndësishëm të Shqipërisë në rajon, dialogun e domosdoshëm mes Kosovës e Serbisë dhe Ballkanin e Hapur, si një nismë transformuese për ardhmërinë e rajonit, të cilën administrata e Presidentit Joe Biden e mbështet fuqimisht”, shkroi Rama.
Ndërkaq, Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka njoftuar se lufta kundër korrupsionit, pandëshkueshmërisë dhe përpjekjeve për minimin e demokracisë në Ballkanin Perëndimor, ka qenë fokusi i vizitës së Escobarit në Shqipëri.
Gjatë vizitës së tij në Shqipëri, Escobar ka zhvilluar takime edhe me ministren e Jashtme, Olta Xhaçka, kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha si dhe udhëheqës tjerë./SHQIP.com