Lajme Ballkan

Takimet e Escobar në Shqipëri, fokus lufta kundër korrupsionit dhe përpjekjeve për minim të demokracisë

Vizita e Escobar në Shqipëri

Lufta kundër korrupsionit, pandëshkueshmërisë dhe përpjekjeve për minimin e demokracisë në Ballkanin Perëndimor, ka qenë fokusi i vizitës së të Dërguarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, të enjten në Shqipëri.

Kështu ka njoftuar Ambasada e SHBA-së në Tiranë, teksa ka bërë të ditur se Escobar është takuar me kryeministrin Edi Rama, ministren e Jashtme, Olta Xhaçka, kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe udhëheqës tjerë.

Vizita e Escobar në Shqipëri.

Sipas njoftimit, gjatë vizitës Escobar ka falënderuar Shqipërinë për partneritetin me SHBA-në, duke rikonfirmuar mbështetjen e fortë të kësaj të fundit për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

“Gjatë takimeve të tij, Zëvendës Ndihmës Sekretari Escobar falënderoi Shqipërinë për partneritetin e saj të fortë me Shtetet e Bashkuara dhe rikonfirmoi mbështetjen e fortë të SHBA për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Ai vuri në dukje fokusin e Shteteve të Bashkuara në luftën kundër korrupsionit, pandëshkueshmërinë dhe përpjekjeve për të minuar demokracinë në Ballkanin Perëndimor.

Escobar mirëpriti forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve SHBA-Shqipëri, bashkëpunimin tonë në fushën e mbrojtjes si aleatë të NATO-s dhe krijimin e më shumë mundësive për tregti dhe investime. Escobar mirëpriti gjithashtu punën e përbashkët midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë për integrimin rajonal dhe global”, thuhet ndër tjerash në njoftim./SHQIP.com