Lajme

Revolucioni i “Flamingove” drejt mbylljes, dështuan të rrëzonin Ramën dhe Berishën – njëri vazhdon të jetë kryeministër, tjetri kryetar i PD

E ashtuquajtura protesta e “Flamingove” duket se po mbyll ciklin tre mujor të lëvizjes, pa arritur asnjë prej objektivave. Ligji për zonat e mbrojtura nuk u shfuqizua, as ligji “21 2024” për Zvërnecin nuk u prek dhe mbi të gjitha, nuk u dorëhoq as Edi Rama dhe as qeveria e drejtuar prej tij. Pra, tre muaj protestë, me mijëra pjeëmarrës, këtu i referohemi protestave qytetare të qershorit (deri në datën 20 qershor) dhe në fund produkti është zero. Protesta e numër 89-të regjistroi pjesëmarrjen më të dobët të shënuar ndonjëherë.

Në protestat e sotme para Kryeministrisë nuk ka më qytetarë pjesëmarrës, por disa syresh militantë partiakë kryesisht të opozitës dhe përfaqësuesit e shoqatave të cilët kanë për synim “rrëmbimin” e ndonjë projekti të radhës, duke kumbuar me forcë kauzat mjedisore dhe jo vetëm. Është fatkeqësi që energjia e kësaj proteste në qershor nuk arriti të kanalizohej aty ku duhej, por vullneti i qytetarëve u la në duart e aktivistëve dhe disa personazheve me anomali të dukshme psiqike. Mikrofoni edhe një herë tjetër u faktua si instrumenti që dëmtoi ekstremisht protestën, pasi në podium u promovuan figura që reflektonin mungesë të theksuar formimi arsimor dhe kulturor, u ngjitën persona me probleme të shëndetit mendor, dhe kjo më shumë se një herë dhe militantë partiakë të cilët nuk bëjnë dallimin mes të qenit qytetar i lirë dhe një të varuri politikisht, sikurse edhe aktetet e dhunës që shpërthyen mes grupeve në protestë.

Të gjitha këto nuk bënë gjë tjetër veçse përzunë qytetarët e dinjitetshëm, shtresën e mesme nga protesta. Për të mos përmendur më pas talljen që iu është bërë përfaqësuesve të Diasporës, të cilët edhe janë goditur e dhunuar para Kryeministrisë nga pengmarrësit e protestës.

Edi Rama është sërish kryeministër

3 muaj protestë për dorëheqjen e tij dhe Edi Rama e qeveria që ai drejton janë ende në pushtet. Atëherë për çfarë duhet që kjo protestë të ekzistojë edhe më e Bulevardi të vazhdojë të zihet çdo natë nga 200-300 veta që mblidhen aty? Nëse protesta quan fitore ndryshimet në qeveri, dikush duhet t’i edukojë organizatorët e saj se lëvizjet në kabinet janë vullnet politik i mazhorancës. Pra, kryefjala e revoltës ishte largimi i Edi Ramës. Në qershor, ditët e para të protestës, u tha se Rama nuk mbijetonte më shumë se 10 ditë, madje u caktua edhe një deadline, që ishte mesi i qershorit. Sot jemi në fundin e muajit gusht dhe ai që vazhdon të qeverisë është po Edi Rama.

Edhe Berisha nuk iku

Në letër, objektivi numër 2 i aktivistëve të Bulevardit ishte largimi i Sali Berishës nga skena politike. Mirëpo, në ditën e 89-të të protestës, Sali Berisha jo vetëm është ende kryetar i PDSH, por nga mbledhja e Këshillit Kombëtar përcolli mesazhe se opozita vijon të jetë tek kilometri i fundit dhe se shpresat e PD për të rrëzuar Ramën janë ende një mision i tyre. Pra, gradualisht, si një lojtar spektakolar i politikës, Berisha po jep sinjale të dukshme duke thënë se, “deri sot ua lash fushën të lirë, Bulevardin e kishit për vetë, ama nga nesër do rikthehem vetë aty”! Dhe kjo me të drejtë, sepse sheshi, rruga dhe Bulevardi janë instrumentet e opozitës për të vënë mazhorancën nën presion sa herë gabon apo reflekton dobësim. Dhe Sali Berisha e di mirë këtë. Deklarata e ardhshme e tij nuk është çudi të jetë ultimatum për zaptuesit e mikrofonit dhe pengmarrësit e protestës, që të lirojnë Bulevardin!

Një mal me kërkesa, asnjë pikë e realizuar – 89 ditë protestë dhe zero rezultate

89 ditë protestë dhe asnjë prej kërkesave të “Flamingove” nuk është përmbushur. Përballë Kryeministrisë janë përsëritur prej javësh të njëjtat kërkesa, janë mbajtur pankarta, janë bërë thirrje dhe protesta ka vijuar pa ndërprerje, por deri më sot asnjë nga objektivat e shpallura nuk është realizuar.

Në krye të kërkesave qëndron dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe largimi i qeverisë së tij. Protestuesit kanë kërkuar gjithashtu shfuqizimin e ligjeve që, sipas tyre, cenojnë pronën e përbashkët, si dhe ndryshime të tjera që lidhen me mënyrën e qeverisjes dhe mbrojtjen e interesit publik.

Por pas 89 ditësh, bilanci mbetet i njëjtë: protesta vazhdon, ndërsa rezultati mungon. Asnjë dorëheqje, asnjë tërheqje e qeverisë, asnjë ligj i shfuqizuar dhe asnjë prej kërkesave kryesore nuk ka marrë një përgjigje konkrete që të mund të konsiderohet si fitore e protestës.

Kjo e ka vendosur lëvizjen përballë një tjetër sfide, ndoshta më të vështirë se përballja me qeverinë: si të vijojë një protestë kur objektivat e saj mbeten të parealizuara? Mungesa e rezultateve po ushtron gjithnjë e më shumë presion mbi vazhdimësinë e protestës. Pas 89 ditësh, pyetja nuk është më vetëm se sa gjatë mund të vazhdojë protesta, por edhe nëse ajo mund të ruajë të njëjtin intensitet pa një rezultat konkret.

Protesta ende nuk është mbyllur, por dita e përfundimit të saj duket gjithnjë e më pak e largët. Dhe nëse ajo mbyllet pa përmbushur asnjë nga kërkesat e saj, bilanci do të jetë i qartë, një mal me kërkesa, 89 ditë përballje dhe asnjë pikë e realizuar.

©Shqip.com