Zbulohen mbetje njerëzore në Zubin Potok, dyshohet se u përkasin 23 intelektualëve të Mitrovicës
Zbulohen mbetje njerëzore në një lokacion në Zubin Potok, autoritetet nisin gërmimet për një varrezë të dyshuar masive nga lufta në Kosovë.
Ekipet e Policisë së Kosovës, Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe EULEX-it kanë nisur ekzaminimet në terren për të përcaktuar identitetin e viktimave.
Gërmimet po zhvillohen në fshatin Kalludër e Vogël, ku dyshohet se mund të ndodhen mbetje të personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Në vendngjarje janë gjetur mbetje mortore dhe pjesë veshmbathjesh, të cilat tashmë janë marrë në shqyrtim nga ekspertët forenzikë.
Dyshimet lidhen me fatin e 23 intelektualëve të Mitrovicës, të zhdukur më 19 prill 1999. Autoritetet po hetojnë nëse mbetjet e gjetura i përkasin këtij grupi personash.
Ekipet e antropologëve dhe specialistëve mjeko-ligjorë kanë hyrë në zonën e rrethuar nën masa të rrepta sigurie, ndërsa procesi i identifikimit pritet të vijojë gjatë ditëve në vazhdim.
Mjeku i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Ditor Haliti, ka konfirmuar se mbetjet e gjetura janë me origjinë njerëzore dhe kanë interes për hetimin mjeko-ligjor.
“Janë me origjinë njerëzore dhe ditëve në vijim punimet do të vazhdojnë”, u shpreh Haliti pas vlerësimit fillestar në terren.
Në vendin e gërmimeve kanë qenë edhe drejtues të institucioneve të Kosovës, përfshirë ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, drejtorin e AKI-së, Petrit Ajeti dhe ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
Autoritetet vijojnë punën për dokumentimin e plotë të rastit dhe identifikimin e viktimave të mundshme, ndërsa familjet e personave të zhdukur prej dekadash presin ende përgjigje për fatin e të afërmve të tyre.
©Shqip.com