Kliton Nesturi / Qyteti i xhamtë

QYTETI I XHAMTË
Vështrimi i mëngjesit shpon tejpërtej
hapësirës së xhamtë,
si një thikë që ngulet ethshëm në trupin e njeriut.
Është i ftohtë, cinik, gjithmonë i thellë,
Si mendim i pakuptueshëm.
Në rrugë makinat e shumta lëvizin me shpejtësi,
Dhe njerëzit rendin vrrullshëm në kërkim të identitetit të tyre.
E përditëshmja duhet ushqyer,
Pak rëndësi ka se në cilën formë.
E gjithë jeta nis e zhvillohet pas stukturave të xhamta.
Aty, si kudo, vërshojnë idetë, intrigat, tradhtitë.
Brenda qiellgërvishtësve të xhamtë,
thurren konspiracionet,
ndaj Njeriut, që shpesh konsderohet i pavlerë.
Në qytetin e xhamtë jeta merr trajtën e dimensioneve
kapriçioze të elitave.
Gjithçka është e ftohtë.
Asnjë rreze ngrohtësie nuk depërton nga jashtë,
asnjë shpresë gjelbërimi.
Në qytetin e xhamtë
qielli nga brenda shumëkatësheve duket gjithmonë gri.
Qyteti i xhamtë duket i bukur,
por vetëm kur vështron nga jashtë reflekset
e qiellit që përplaset mbi xhama,
të shiut që bie mbi qytet,
e gjelbërimit që harbohet në parqe,
të dashurive dhe intrigave
që rendin fort pas njëra-tjetrës.
Të gjitha reflektohen mbi strukturat e xhamta
të qytetit të xhamtë.
Çdo gjë është e dukshme;
qysh prej mëngjesit e deri sa shuhen dritat e natës,
njerëzit shohin njëri-tjetrin
se si bëjnë dashuri,
si grinden,
si mendojnë për të ardhmen,
si vrasin.
Në qytetin e xhamtë jeta është plot dilema.
Askush nuk fle edhe kur mendon se fle.
Sapo të zbardhë dita e re,
Vështrimi i mëngjesit do të shpoj tejpërtej
hapësirës së xhamtë,
për të vështruar të njëjtën jetë
çdo ditë, çdo ditë, çdo ditë…
(Botuar në librin “I lindur bohem”, 2023)
/Shqip.com