Qeveria tregon se çfarë u diskutua në Këshillin e Sigurisë Kombëtare

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Kosovës është diskutuar për situatën e sigurisë në vend.
“Në mbledhje u shqyrtua situata e sigurisë në Republikën e Kosovës pas fillimit të zbatimit të vendimit për pajisjen me targa të përkohshme për automjetet me targa të Serbisë”.
“Në veçanti u diskutua koordinimi i mëtejmë i veprimeve strategjike në shërbim të paqes dhe sigurisë, kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend”, thuhet në kumtesë.
“Institucionet e Republikës së Kosovës mbesin të përkushtuara për ruajtjen e rendit, sigurisë publike dhe sundimit të ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës”.

Për shkak të situatës në Veriun e Kosovës, mbrëmjen e së shtunës është mbledhur Këshilli i Sigurisë Kombëtare.
Kjo pasi të shtunën pos patrullimit të helikopterëve serbë afër pikave kufitare me Kosovën, është sulmuar edhe Qendra e Automjeteve të Regjistrimit në Zubin Potok.
Pas këtyre zhvillimeve, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të reagojë.
Ndërsa, presidentja, Vjosa Osmani ka ndërprerë vizitën e saj zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /Shqip.com