Lajme

Presidenti i Këshillit Evropian: Të qetësohet situata në veri dhe të vazhdojë dialogu

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka thënë se duhet të qetësohet situata në Veriun e Kosovës dhe të vazhdojë dialogu.

Përmes një postimi në Twitter, Michel kërkoi edhe tërheqjen e Njësiteve Speciale të Policisë nga dy pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak.

Lexo edhe:
Kryeministri Kurti tregon se kush po qëndron mbrapa protestave në veri

“Është koha si për Serbinë ashtu edhe për Kosovën, Aleksandër Vuçiq dhe Albin Kurti të tërhiqen, duke përfshirë tërheqjen e Njësive Speciale të Policisë dhe barrikadat, dhe të vazhdojnë negociatat me përfaqësuesit special të BE-së”.

Gjatë ditës pranë pikave kufitare Jarinje dhe Bërnjak kanë qarkulluar helikopterët serbë.

Po ashtu, Qendra e Regjistrimit të Automjeteve është sulmuar me granata.

Kjo situatë ka mbledhur në takim Këshillin e Sigurisë Kombëtare, të shtunën.

Në anën tjetër, në Beograd, ka deklarata nga zyrtarët e shtetit serb për “gatitshmëri ushtarake”.

Kreu i ekzekutivit kosovar ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të reagojë ndaj kësaj gjuhe të Beogradit. /Shqip.com

Aksioni i Njësitëve Speciale të Policisë së Kosovës në Jarinje.