Lajme

Situata në veri, presidentja Osmani e ndërpren vizitën në SHBA

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Për shkak të situatës  në Veriun e Kosovës, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka ndërprerë vizitën zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kështu ka njoftuar këshilltari për media i presidencës, Bekim Kupina.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka ndërprerë vizitën e saj në Nju Jork dhe është nisur për në Prishtinë për shkak të zhvillimeve në veri të vendit”, ka shkruar ai në Facebook, të shtunën.

Sipas dispozitave ligjore, presidentja e vendit është edhe komandante supreme.

Gjatë ditës pranë pikave kufitare Jarinje dhe Bërnjak kanë qarkulluar helikopterët serbë.

Po ashtu, Qendra e Regjistrimit të Automjeteve është sulmuar me granata.

Dy policë të Serbisë duke vëzhguar situatën në Veri

Kjo situatë ka mbledhur Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

Në anën tjetër, në Beograd, ka deklarata nga zyrtarët e shtetit serb për “gatishmëri ushtarake”.

Kreu i ekzekutivit kosovar ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të reagojë ndaj kësaj gjuhe të Beogradit. /Shqip.com