Lajme

Escobar për reciprocitetin e targave: Është në dorën e të dyja palëve të mos ketë qasje ushtarake

Gabriel Escobar

Zëvendës ndihmës Sekretari i Shtetit amerikan për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar është deklaruar për çështjen e reciprocitetit nga Kosova për targat ndaj Serbisë, duke thënë se “është në dorën e të dyja palëve, që të mos ketë një qasje ushtarake ndaj kësaj çështjeje”.

Sipas tij, Kosova dhe Serbia duhet të përmbahen e të mos përdorin retorikë të dëmshme dhe ta përqendrojnë vëmendjen dhe energjinë në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Escobar për Zërin e Amerikës ka thënë se janë shumë të angazhuar në këtë çështje me partnerët evropianë.

“Lidhur me çështjen e targave ne do të donim të shihnim disa lëvizje në Bruksel, ndoshta që javën e ardhshme. Për sa i takon çështjes më të gjerë të dialogut, ka shumë gjëra në tryezë, duke përfshirë disa çështje të menjëhershme, që mendoj se duhet të ndodhin, si ajo e personave të zhdukur, ose ajo e energjisë, për shembull. Por përsëri, përmes dialogut, ky është kanali të cilin ne e mbështesim”.

Ai ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan të shohin  zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë të bazuar në njohjen reciproke mes dy vendeve dhe mbështet dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, një proces që zvarritet prej 10 vitesh, pa shumë përparim.

Sipas tij, është koha për një përpjekje të përtërirë për dialogun.

Ndryshe, të hënën e 20 shtatorit, Qeveria e Kosovës ka vendosur që të gjitha veturat që hyjnë nga Serbia t’i zëvendësojnë targat e veturave me ato të Kosovës, të cilat vlejnë 60 ditë.

Lidhur me këtë, banorët e komunave me shumicë serbe në Veri të Kosovës si shenjë revolte kanë bllokuar rrugën që nga e hëna deri më tash.

Protestat në veri pas vendosjes së masës së reciprocitetit të targave me Serbinë

Për të monitoruar situatën, Njësia Speciale e Policisë së Kosovës është duke qëndruar që nga fillimi i vendosjes së reciprocitetit me targat në pikat kufitare.

Asnjë incident nuk është raportuar deri më tash, por që ka pasur reagime nga krerët institucionalë të dy shteteve.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka kërkuar tërheqjen e të gjitha trupave të Policisë së Kosovës në pikat kufitare, në mënyrë që të vazhdojë dialogu.

Kurse, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se nëse targat largohen, këtë duhet ta bëjnë të dy shtetet./SHQIP.com