Lajme

Kurti: T’i heqim të dyja shtetet targat e përkohshme

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ripërsëritur se oferta e Kosovës për Serbinë është që “le t’i heqim targat e përkohshme të dyja shtetet”.

Para fillimit të mbledhjes së Qeverisë, Kurti ka ritheksuar se “nuk është në interes të askujt tensioni i situatës”, ndërsa ka shtuar se vendimi për reciprocitet për targat me Serbinë, është i drejtë.

Lexo edhe:
Kurti: Është reciprocitet, s’është provokim

U ka bërë thirrje kryetarëve të komunave në veri që të zhbllokohet rruga.

“Vendimi për targat është i drejtë dhe garanton të drejtën e lëvizjes së lirë, përfshirë edhe qytetarëve serbë. Pengesat janë duke u bërë me disa kamionë pronë komunale dhe kjo është keqpërdorim i aseteve publike”, është shprehur shefi i qeverisë.

Lexo edhe:
Kurti – vendeve të QUINT-it për reciprocitetin e targave: Për Kosovën dhe Serbinë vlen standardi i njëjtë

“Ftoj grupin e organizuar të qytetarëve serbë sepse ata kanë bllokuar veten e tyre dhe lëvizjen. Për incidente dhe eskalim s’kanë interes as qytetarët e as shteti ynë, s’kanë interes as serbët e Kosovës e as Serbia. Duket se interes ka vetëm një individ, presidenti i Serbisë. Ne jemi për dialog”.

“Edhe oferta jonë publike është tejet praktike, le t’i heqim tabelat e përkohshme edhe Serbia e dhe Kosova. Besoj që nuk është në interesin e Serbisë që të refuzojë dialogun dhe bisedimet siç po bëjnë aktualisht. Brukseli është vendi ku duhet të zhvillohen bisedimet dhe ne jemi të gatshëm e të hapur për të biseduar”./SHQIP.com