Lajme Ballkan

Vuçiq: Kërkojmë të hiqen trupat në veri të Kosovës dhe të bisedojmë

Presidenti i Serbisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka kërkuar tërheqjen e të gjitha trupave në veri të Kosovës në mënyrë që dy shtetet të kthehen në bisedime, transmeton Shqip.com.

Lexo edhe:
Obradovic kërkon nga Vuçiq që të vë në gatishmëri ushtrinë pas reciprocitetit me targa

Në një konferencë për media, Vuçiq veprimin e autoriteve të Kosovës për reciprocitetin me targa të veturave e ka cilësuar si “veprim kriminal”.

“Zgjidhja e vetme është tërheqja e të gjitha trupave nga veriu i Kosovës, të kthehemi në situatën e mëhershme, e më pas mund të shkojmë e të bisedojmë”, tha ai.

Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, ai u shpreh se ka marrë një propozim nga shtetet e fuqishme të botës, por që e ka refuzuar sepse sipas tij “është poshtërim për Serbinë”.

“Serbia është gjithmonë e gatshme të pranojë dialogun, por nuk do të pajtohet për veprime të njëanshme dhe në biseda me shtetet e forta të botës kam marrë një propozim se si do të mund të ishte një zgjidhje kompromisi, dhe e kam refuzuar sepse nuk është një kompromis, por poshtërim për Serbinë”, ka thënë ai në konferencën për media.

Ai tutje ka shtuar se Serbia do të vazhdojë të insistojë për paqe dhe siguri të serbëve.

Po ashtu, Vuçiq ka kërkuar një përgjigje edhe nga Bashkimi Evropian, nëse marrëveshjet e Brukselit janë ende në fuqi apo jo.

Lidhur me këtë, ai tha se do të pres një përgjigje muajin e ardhshëm, dhe nëse kjo nuk ndodh, është një shenjë që marrëveshjet nuk ekzitojnë.

Ndryshe, të hënën, Qeveria e Kosovës filloi së zbatuari reciprocitetin me targat e Serbisë, duke bërë kështu që çdo veturë që hyn në Kosovë, t’i vendos tabelat e përkohshme.

Në shenjë pakënaqësie për këtë, disa qytetarë serb në komunat veriore të Kosovës, kanë bllokuar rrugën duke mos lejuar kështu të kalojë rrugën asnjë veturë.

Lidhur me këtë, Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës janë pozicionuar në pikën kufitare në Jarinjë për ta zbatuar reciprocitetin me Serbinë për targat.

Ndaj këtyre zhvillimeve ka pasur diskutime të hënën edhe në Kuvendin e Kosovës, ku sipas opozitës “kryeministri Kurti po bën show”./Shqip.com