Ekonomi

Lladrovci kërkon opinion ligjor nga MFPT për ‘faljen e 100 eurove nga norma tatimore’

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka parashtruar kërkesën për opinion ligjor për Ministrinë e Financave, Punës dhe Transferëve lidhur me propozimin e ministrit, Hekuran Muratit për faljen e 100 eurove nga norma tatimore për vitin 2023.

Kjo është bërë e ditur nga Asociacioni i Komunave të Kosovës ku thuhet se për këtë kërkesë të Lladrovcit janë njoftuar ata, ministria, kryeministri dhe të gjitha palët e interesit.

“Sot, është parashtruar kërkesa për Opinion ligjor nga Kryetari i Drenasit, z.Ramiz Lladrovci drejtuar Ministrisë së Financave, Transfereve dhe Punës duke e vënë në dijeni edhe Kryeministrin, Asociacionin e Komunave të Kosovës dhe palët e interesit. Konsiderohet se Opinioni ligjor nga Ministria e Financave Transfereve dhe Punës do të sqaroj dilemat e ligjshmërisë rreth propozimit të Ministrit z.Murati për “faljen e 100 eurove nga tatimi i pronës për vitin 2023”.

Nga AKK kanë thënë se dilemat e kryetarëve të komunave rreth ligjshmërisë së këtij propozimi të Muratit, presin që t’i zgjidh ky opinion ligjor.

“Dilemat e shprehura nga Kryetarët e Komunave rreth ligjshmërisë së këtij propozimi të Ministrit te Financave z.Murati, presim t’i japë zgjidhje ky opinion sqarues që e presim nga Ministria e Financave, Transfereve dhe Punës. Duke qenë se në opinion ka dilema ligjore për atë se a është apo jo përgjegjësi e nivelit lokal çështja e “faljes së tatimit në pronë”, presim që këto dilema t’i qartësojë Opinioni ligjor nga Ministria e Financave, Transfereve dhe Punës si institucion kompetent”.

Ditë më parë, ministri i Financave, Punës dhe Transfere pas raportimit në Komision ka thënë se ka propozuar që tatimpaguesve t’u falen deri në 100 euro për këtë vit, por që deputetët e opozitës ishin kundër.

Ai ka shkruar në Facebook, se ky propozim do të mundësohej në kuadër të një ligji të ri, që do procedohet në Kuvend për miratim.

Murati: Propozova që tatimpaguesve t’u falen deri 100 euro, opozita ishte kundër – SHQIP.com

“Me qëllim të lehtësimit të barrës së qytetarëve, dhashë propozimin konkret që të gjithë tatimpaguesve t’u falen deri në 100 euro nga vlera e tatimit në pronë për këtë vit.

Kjo do të mundësohej në kuadër të një ligji të ri të cilin do ta procedojme shumë shpejt në Kuvend për miratim.

Mirëpo, deputetët e opozitës ishin kundër këtij propozimi, përkundër faktit se deri sot kanë kërkuar veprim konkret që të lehtësohet barra e qytetarëve”, ka shkruar Murati.

Sipas tij, refuzimi i opozitës për mbështetje tregon se kur bëhet fjalë për interesin e qytetarëve, për opozitën, veprat dallojnë nga fjalët.

Kujtojmë se, gjatë ditës ministri Murati ka raportuar në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, ku mbizotëroi tema e rritjes së Tatimit në Pronë.

Lexo edhe:

Rritja e Tatimit në Pronë përplas ministrin Murati dhe deputetin Hoti

Kjo mbledhje nuk kaloi pa debate, pasi deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti e ka akuzuar Muratin se as vet nuk kishte qenë i përgatitur për këtë rritje të tatimit.

Ndërsa përgjigja e ministrit Murati ishte se kundër rritjes së Tatimit në Pronë, kanë reaguar vetëm 2-3 komuna dhe se kjo po bëhej per motive politike, që të goditet Qeveria e Kosovës.

/Shqip.com