Lajme

Murati: Propozova që tatimpaguesve t’u falen deri 100 euro, opozita ishte kundër

Hekuran Murati - Ministër i Financave, Punës dhe Transfereve

Ministri i Financave, Punës dhe Transfere pas raportimit në Komision ka thënë se ka propozuar që tatimpaguesve t’u falen deri në 100 euro për këtë vit, por që deputetët e opozitës ishin kundër.

Ai ka shkruar në Facebook, se ky propozim do të mundësohej në kuadër të një ligji të ri, që do procedohet në Kuvend për miratim.

“Me qëllim të lehtësimit të barrës së qytetarëve, dhashë propozimin konkret që të gjithë tatimpaguesve t’u falen deri në 100 euro nga vlera e tatimit në pronë për këtë vit.

Kjo do të mundësohej në kuadër të një ligji të ri të cilin do ta procedojme shumë shpejt në Kuvend për miratim.

Mirëpo, deputetët e opozitës ishin kundër këtij propozimi, përkundër faktit se deri sot kanë kërkuar veprim konkret që të lehtësohet barra e qytetarëve”, ka shkruar Murati.

Sipas tij, refuzimi i opozitës për mbështetje tregon se kur bëhet fjalë për interesin e qytetarëve, për opozitën, veprat dallojnë nga fjalët.

Kujtojmë se, gjatë ditës ministri Murati ka raportuar në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, ku mbizotëroi tema e rritjes së Tatimit në Pronë.

Lexo edhe:
Rritja e Tatimit në Pronë përplas ministrin Murati dhe deputetin Hoti

Kjo mbledhje nuk kaloi pa debate, pasi deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti e ka akuzuar Muratin se as vet nuk kishte qenë i përgatitur për këtë rritje të tatimit.

Ndërsa përgjigja e ministrit Murati ishte se kundër rritjes së Tatimit në Pronë, kanë reaguar vetëm 2-3 komuna dhe se kjo po bëhej per motive politike, që të goditet Qeveria e Kosovës.

/Shqip.com