Dreshaj: Keqmenaxhimi në shëndetësi po prodhon skena të filmave horror

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shëmsedin Dreshaj ka thënë se menaxhimi i dobët në shëndetësi ka bërë që të prodhohen skena të ngjashme me filma horror.
Përmes një postimi në Facebook, Dreshaj tha se sektori më i rëndësishëm i vendit ka mbetur në dorë të askujt.
“Menaxhimi i dobët në shëndetësi, javë më javë e muaj për muaj është kah prodhon skena të ngjashme me filma horror. Paramendojeni një shtet, respektivisht një qeveri e cila nuk mund ta emërojë një ministër tash e 78 ditë. Sektori më vital i cili kujdeset për njerëzit që kanë më së shumti nevojë, ka mbetur në duart e askujt”, shkroi Dreshaj.
Dreshaj përmendi edhe rastin e në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë për të cilin u raportua mbrëmë.
“Është e pafalshme që të ndodh një rast i tillë si ky në Pejë, e Qeveria e Kryeministri ende të hamenden për caktimin e udhëheqësit të sektorit të Shëndetësisë. Përgjegjësia është tek Kryeministri!”.
Kujtojmë së Spitalin Rajonal të Pejës së fundi ka ndodhur një ngjarje e pazakontë.
Foshnja e vdekur futet në lavatriçe në Spitalin e Pejës, nisin hetimet – SHQIP.com
Një foshnje e vdekur është futur në lavatriçe e pështjellur së bashku me çarçafë.
Lajmin e ka konfirmuar për shqip.com, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Agim Kurmehaj.
Kurmehaj tha se tashmë kanë nisur hetimet për këtë rast.
“Po ju konfirmoj se rasti ka ndodhur dhe ne si prokurori kemi ndërmarrë veprime e duhura për zbardhje të rrethanave”, tha Kurmehaj.
Mehaj konfirmoi se foshnja ka qenë e vdekur kur ka ndodhur edhe ngjarja.
Ndërsa, lidhur me rastin Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka suspenduar shtatë punonjës.
/Shqip.com