SBASHK-u: Greva vazhdon derisa Qeveria t’i realizojë kërkesat tona

Greva e përgjithshme në arsim do të vazhdojë.
Këtë e ka konfirmuar Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës përmes një komunikate për media.
“Qëndrim unanim i pjesëmarrësve të këtij takimi ishte që deri sa Qeveria nuk ulet në dialog me Këshillin Grevist të BSPK-së, që është organ legjitim për të menaxhuar grevën dhe për të zhvilluar dialog me palën tjetër dhe gjersa Qeveria nuk realizon kërkesat legjitime të grevistëve greva do të vazhdojë”, thuhet në njoftim.
Ndërsa shtojnë se “greva erdhi si pasojë e mungesës së vullnetit të Qeverisë për dialog dhe se greva po ndodh duke u respektuar zëri dhe vullneti i anëtarësisë, e cila edhe do të vendos çka tutje”.

Në anën tjetër, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci i ka bërë sërish thirrje SBASHK-ut që të ndërpresë grevën dhe t’i kthehet dialogut konstruktiv.
Përmes një shkrimi në Facebook, Nagavci thotë se nuk ka kurrfarë arsye që të mbahet grevë nga BSPK dhe SBAShK-u, pasi sipas saj, Qeveria ka bërë disa hapa dhe ka ndërmarrë vendime të dinjitetshme për adresimin e kërkesave të parashtruara nga sindikatat.
“Greva, në formë të ndërprerjes së plotë të punës dhe pa kufizim kohor, është hap ekstrem që ndërmerret vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe nuk ka kurrfarë arsyeshmërie në kushtet kur Qeveria ka bërë disa hapa dhe ka ndërmarrë vendime të dinjitetshme për adresimin e kërkesave të parashtruara nga sindikatat”, ka shkruar Nagavci.
Kurse, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka njoftuar se janë mbajtur mbi 30 takime me sindikatat për të zgjidhur problemin me greva.
Kryeziu thotë se mungon arsyeshmëria e kërkesës për 100 euro shtesë, meqë komunikim ka pasur mes Qeverisë dhe sindikatave.
Theksojmë se nga data 25 gusht, SBASHK-u ka hyrë në grevë me kërkesën për 100 euro shtesë.
Deri më tash nuk ka pasur asnjë pajtim për ndërprerjen e grevës, ndërkohë që kjo sindikatë ka paralajmëruar se orët e humbura të mësimit nuk do të zëvendësohen./Shqip.com