Lajme

Nagavci: SBASHK-u ta ndërpres grevën, për orët e humbura vendos MASHTI

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci i ka bërë sërish thirrje Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës që të ndërpresë grevën dhe t’i kthehet dialogut konstruktiv.

Nagavci ka shkruar në Facebook se nuk ka kurrfarë arsye që të mbahet grevë nga BSPK dhe SBAShK-u, pasi sipas saj, Qeveria ka bërë disa hapa dhe ka ndërmarrë vendime të dinjitetshme për adresimin e kërkesave të parashtruara nga sindikatat.

“Greva, në formë të ndërprerjes së plotë të punës dhe pa kufizim kohor, është hap ekstrem që ndërmerret vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe nuk ka kurrfarë arsyeshmërie në kushtet kur Qeveria ka bërë disa hapa dhe ka ndërmarrë vendime të dinjitetshme për adresimin e kërkesave të parashtruara nga sindikatat”, ka shkruar Nagavci.

“Paralajmërimet për kushtëzimin e dialogut të mëtutjeshëm, si dhe ato për mos zëvendësimin e orëve të humbura, vetëm sa e ndërlikojnë situatën. Me këtë rast, më duhet të rikujtoj se Kalendarin shkollor e nxjerrë MASHTI, e jo sindikatat, ndërsa të njëjtit duhet t’i përmbahen si mësimdhënësit, ashtu edhe nxënësit dhe prindërit”, ka shkruar ministrja e këtij dikasteri.

Greva në Arsim

Nagavci, ka kërkuar që SBASHK-u që të reflektojë dhe të kthehen në punë.

“Si Ministre, punonjëse e arsimit dhe qytetare e këtij vendi kërkoj nga kryesia e SBAShK-ut që të reflektojë për situatën e krijuar dhe, bashkë me përfaqësuesit e degëve komunale, ta ftojë anëtarësinë e vet për t’iu kthyer punës, në mënyrë që të krijojmë atmosferë për vazhdimin e dialogut konstruktiv, që është parakusht për zgjidhjen e problemeve komplekse në sektorin e arsimit”, ka shkruar ajo.

Theksojmë se nga data 25 gusht, SBASHK-u ka hyrë në grevë me kërkesën për 100 euro shtesë.

Lexo edhe:
SBASHKU: Qeveria nuk do zgjidhje të kërkesave, prandaj greva vazhdon

Deri më tash nuk ka pasur asnjë pajtim për ndërprerjen e grevës, ndërkohë që kjo sindikatë ka paralajmëruar se orët e humbura të mësimit nuk do të zëvendësohen./Shqip.com