Tahiri: AAK-ja do të bëjë çmos që ta mundësojë tërheqjen e 30 për qind të mjeteve nga Trusti

Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë e cila ka njoftuar se nuk do ta përkrahë tërheqjen e mjeteve prej 30 për qind nga Trusti.
Shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri, vendimin e Qeverisë e ka quajtur “vendim të gabuar”.
“Qeveria e Kosovës është humbur dhe tjetërsuar në petkun e pushtetit, ndërsa hallet dhe kërkesat e qytetarëve i trajton vetëm në fushatë zgjedhore. Qeveria e ka shumë gabim që nuk e përkrah nismën legjislative të Kuvendit të Republikës së Kosovës për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës”, ka shkruar Tahiri në “Facebook”.
Më tej, ai ka shtuar se ky grup parlamentar do të bëjë “çmos që ta mundësojmë tërheqjen e 30 për qind të mjeteve nga Trusti”.
Ndërsa vlerëson se 30 për qindëshi është shumë e nevojshme për “këndellje të ekonomisë dhe familjeve kosovare”.
Në fund ka shkruar se me këtë vendim, Qeveria ka treguar se kemi “qeverisje pa qeveri!”./Shqip.com