Lajme

Skandali me donacionet për Qendrën Kennedy/ Grenell pranon se i ka përfunduar mandati, por vijonte të prezantohej si i dërguar special i Trump

Nga Julia Ornedo, The Daily Beast

Richard Grenell tha se mandati i tij kishte përfunduar në shkurt të këtij viti dhe pretendoi se emërimi i tij si i dërguar i posaçëm ishte parashikuar që në fillim të përfundonte në atë periudhë. Megjithatë, The Daily Beast nuk arriti të gjente asnjë deklaratë të mëparshme publike ku të ishte përcaktuar një datë e tillë përfundimi.

Richard Grenell, i cili është shumë aktiv në rrjetet sociale, nuk e kishte pranuar kurrë publikisht përfundimin e rolit të tij deri më tani, kur gjendet në qendër të një skandali në rritje lidhur me akuzat se janë zhdukur para nga një donacion për Qendrën Kennedy, të cilën ai e drejtonte gjithashtu gjatë administratës Trump.

Një zyrtar i Departamentit të Shtetit deklaroi se “zoti Grenell nuk është më i dërguar i posaçëm dhe nuk është i punësuar nga Departamenti i Shtetit”. Agjencia nuk iu përgjigj menjëherë pyetjeve të tjera lidhur me periudhën gjatë së cilës Grenell ushtroi këtë detyrë.

Që nga përfundimi i statusit të tij si i dërguar i posaçëm, Grenell është prezantuar vazhdimisht me këtë titull, madje e ka përdorur edhe vetë të paktën një herë.

Një postim i përbashkët në Instagram nga Grenell dhe Konferenca e Veprimit Politik Konservator (CPAC), i publikuar më 6 tetor, e identifikonte atë në mënyrë të dukshme me një titull të vetëm: I Dërguari i Posaçëm Presidencial i Shteteve të Bashkuara për Misione të Veçanta.

Në shtator, ai publikoi gjithashtu në Instagram një fotografi që tregonte një kopje të printuar të një fotografie të Grenellit me smoking, të firmosur nga Trump. Në përshkrimin poshtë saj, Grenell identifikohej si “i dërguar i posaçëm”. Në mbishkrimin e tij, Grenell shpjegoi se fotografia ishte realizuar gjatë premierës së Melania, dokumentarit për Melania Trump. Premiera u zhvillua në mars, pra pas periudhës kur, sipas vetë Grenellit, ai nuk e ushtronte më funksionin e të dërguarit të posaçëm.

Trump e kishte përzgjedhur personalisht besnikun e tij për këtë detyrë në dhjetor 2024, përpara nisjes së mandatit të tij të dytë presidencial.

“Kam kënaqësinë të njoftoj emërimin e Richard Allen Grenell si të Dërguarin tonë Presidencial për Misione të Veçanta”, shkroi Trump në një postim në rrjetin e tij Truth Social, vetëm një muaj pasi fitoi zgjedhjet e vitit 2024. “Ric do të punojë në disa nga zonat më të nxehta të botës, përfshirë Venezuelën dhe Korenë e Veriut.”

“Ric do të vazhdojë të luftojë për paqen përmes forcës dhe do ta vendosë gjithmonë AMERIKËN TË PARË”, shtoi ai. “Urime, Ric!”

Grenell e mori zyrtarisht detyrën më 20 janar 2025.

Administrata Trump ka pretenduar se shumë emërime të të dërguarve të posaçëm janë të përkohshme. Për shembull, Kristi Noem shërbeu vetëm për gjashtë muaj në funksionin e krijuar posaçërisht për të si e Dërguar e Posaçme për Mburojën e Amerikave, pasi u shkarkua nga posti i sekretares së Sigurisë Kombëtare.

Gjatë mandatit të parë të Trump, Grenell shërbeu si ambasador i SHBA-së në Gjermani, si i dërguar i posaçëm presidencial për negociatat e paqes mes Serbisë dhe Kosovës, si dhe si drejtor në detyrë i Inteligjencës Kombëtare.

Ai synoi gjithashtu të merrte postin e rëndësishëm të sekretarit të Shtetit në administratën e dytë të Trump, por presidenti zgjodhi përfundimisht Marco Rubion.

/Shqip.com