Lajme

Zyrtarizohet marrëveshja për patentë shoferët me Gjermaninë

Ministri i MPB-së, Xhelal Sveçla

Kosova ka nënshkruar zyrtarisht marrëveshjen për njohjen reciproke të patentë-shoferëve me Republikën Federale të Gjermanisë.

Kështu ka bërë të ditur, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Sveçla ka thënë se është një proces i rëndësishëm dhe lehtësues për mërgimtarët.

“Me kënaqësi e kam pranuar ftesën nga Z. Oliver Luksic, Sekretar Shtetëror në Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës Digjitale, duke pasur parasysh që ky është një nga proceset më të rëndësishme por edhe lehtësuese për mërgatën tonë”,ka thënë ai në një postim në rrjetin social “Facebook’’.

Sveçla ka deklaruar se mërgata ka dhënë shumë për vendin, por edhe në shtetet ku ata jetojnë.

“Lehtësimi i jetës dhe veprimtarisë së mërgatës sonë është para se gjithash obligim i yni, i cili duhet arritur bashkë me aleatët tanë, në të gjitha vendet ku ata veprojnë”.

“Ambasada jonë në Berlin dhe gjashtë misionet tona konsullore në Gjermani, janë të angazhuara maksimalisht në asistimin e qytetarëve për procedurat që duhet të ndiqen për të konvertuar patent shoferët e Republikës së Kosovës”,ka shkruar Sveçla.

Lexo edhe:
Nga sot hyn në fuqi vendimi, Gjermania njeh patentat e Kosovës dhe Shqipërisë

Theksojmë se më 27 mars, Bundestagu gjerman u ka dhënë të drejtën shqiptarëve që të konvertojnë patentën e tyre pa pasur nevojë të bëjnë provime shtesë.

Rregullorja e re vlen vetëm për personat që kanë vendbanim të rregullt në Gjermani dhe që e kanë bërë patentën përpara se të shkonin në Gjermani./Shqip.com