Lajme

Nga sot hyn në fuqi vendimi, Gjermania njeh patentat e Kosovës dhe Shqipërisë

Ilustrim

Duke nisur nga dita e sotme Gjermania njeh patentat e Shqipërisë dhe të Kosovës.

Bundestagu gjerman u ka dhënë të drejtën shqiptarëve që të konvertojnë patentën e tyre pa pasur nevojë të bëjnë provime shtesë.

Njohja e lejeve të drejtimit nga shteti gjerman pritet të lehtësojë lëvizjen me automjete të shqiptarëve të Shqipërisë dhe atyre të Kosovës që jetojnë me dokumente të rregullta në këtë shtet.

Rregullorja e re vlen vetëm për personat që kanë vendbanim të rregullt në Gjermani dhe që e kanë bërë patentën përpara se të shkonin në Gjermani.

“Kush ka ardhur pa patentë dhe e ka vendbanimin e rregullt në Gjermani, nuk mund të shkojë për pushime në Kosovë ose Shqipëri dhe të bëjë aty patentën. Ky fenomen, në Gjermani njihet nën termin “turizëm patentash” dhe është i ndaluar. Patentat e marra gjatë pushimeve nuk do të njihen në Gjermani”, ka thënë për DW, Matthias Borowski, zëdhënës i Ministrisë së Mobilitetit të Landit të Berlinit. 

Për lejet e drejtimit nga Kosova është parashikuar konvertimi pa provime shtesë në këto kategori:  AM, A1, A2, A, B, BE, C1, C1E, C, CE, D1, D1E, D dhe DE.

Ilustrim

Ndërsa, për patentat nga Shqipëria që I përkasin kategorisë AM për konvertimin do të kërkohet një provim praktik.

Ndryshimet priten të lehtësojnë jetën e mijëra emigrantëve që kanë ardhur nga Shqipëria dhe Kosova në Gjermani.

Sipas rregullave të deritanishme për emigrantët rezidentë në Gjermani vlefshmëria e patentës skadonte pas gjashtë muajsh qëndrimi.

Konvertimi kushtonte deri në 1000 Euro, i tha DË, Xhevat Qerimaj, nga Autoshkolla Sieber në Stuttgart të Gjermanisë.

Autoritetet e Kosovës në të kaluarën kanë negociuar veç e veç me disa shtete evropiane, me qëllim që shtetasve të Kosovës, që jetojnë në shtetet e Bashkimit Evropian, t’iu njihet patentë shoferi.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, mbi 850,000 qytetarë të Kosovës jetojnë jashtë vendit. Numri më i madh i tyre jeton në Gjermani dhe Zvicër./Shqip.com