Zyra e BE-së në Kosovë shpreson që dorasi i vrasjes në Gllogjan “të sillet shpejt para drejtësisë”

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ka reaguar lidhur me rastin tragjik që ndodhi të premten mbrëma në Gllogjan.
Në reagimin e tyre thuhet se shpresojnë që i dyshuari të sillet sa më shpejt para drejtësisë.
“Të shokuar dhe thellësisht të pikëlluar nga sulmi i neveritshëm drejt autobusit të nxënësve. Bashkimi Evropian në Kosovë shpreson se keqbërësi do të sillet shpejt para drejtësisë”.
“Mendimet dhe lutjet tona janë me viktimat dhe familjet e tyre. Ne urojmë shërim të shpejt për të plagosurin”, thuhet në reagimin e zyrës së BE-së në Kosovë.
Mbrëmjen e së premtes në fshatin Gllogjan të Deçanit, një person ka shtënë me armë zjarri drejt një autobusi, ku kanë mbetur të vdekur shoferi dhe dy nxënës, kurse një tjetër është plagosur.
Gjendja shëndetësore e nxënësit i cili mbet i plagosur është stabile. I njëjti është operuar gjatë natës në Spitalin e Pejës, ku i është larguar një plumb nga trupi.
Sipas Policisë së Kosovës, dyshohet që vrasja është kryer me kallashnikov “AK-47”, teksa rasti është duke u hetuar si “vrasje e rëndë”.
Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, u ka bërë thirrje qytetarëve që nëse kanë ndonjë informacion rreth këtij rasti të bashkëpunojnë me institucionet relevante./SHQIP.com