Kulturë Projekti final pritet të jetë gati në fund të muajit qershor, ndërsa konservimi fillon në pranverën e vitit të ardhshëm.

Zogaj: Restaurimi i Kullave të Jasharajve pritet të kushtojë mbi 20 milionë euro

Kullat e Jasharajve në Prekaz
Kullat e Jasharajve në Prekaz

Mbi 20 milionë euro pritet t’i kushtojë buxhetit të Kosovës restaurimi i Kullave të Jasharajve në Prekaz.

Drejtor i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memorial, Bislim Zogaj për SHQIP.com ka thënë se projekti përfshinë edhe muzeun, amfiteatrin dhe objektet përreth.

“Realisht ne e kemi pasur një projekt që ka kushtuar rreth 6 milionë vetëm konservimi i shtëpive, por projekti i përgjithshëm përfshinë më shumë si muzeun , amfiteatrin si dhe objektet përreth dhe kjo kap një kosto më të madhe. Ai final mund të jetë mbi 20 milionë euro”.

Ai tha se tashmë është formuar komisioni dhe projekti final i realizuar nga ekspertët pritet të dorëzohet në fund të muajit qershore.

“Është formuar komisioni i ekspertëve për të kryer detyrën projektuese dhe ky komision udhëhiqet nga një profesoreshë nga Bosnjë Hercegovina, por që ka ekspertë edhe nga një ekspert nga Shqipëria, Mali i Zi dhe disa nga Kosova.  Deri ka fundi i muajit qershore ata vine me detyrën projektuese. Pas kësaj komiteti do të bëjë shpallën për kompaninë që do të fitojë projektin”.

Zogaj tha se sa i përket urgjencës, vetëm shtëpia e Sala Jasharit ka pasur nevojë për intervenim të menjëhershëm.

“Komiteti ndërministror, i cili bashkë me grupin e  Fakultetit Teknik ka bërë vlerësimin e gjendjes se sa rrezikohen këto monumente dhe a duhet me intervenu urgjent. Pas analizave në terën është vlerësuar se shtëpia e Ademit dhe Hamzës nuk paraqet rrezik me u rrënu e vetmja që është dashur që të intervenohet menjëherë ka qenë jo e Salës.

Ai tha se ky projekt do të jetë shumë dinjitoz dhe do të sjellë vizitore nga jashtë.

I pyetur se kur pritet të përfundojë ky projekt ai tha se nuk kanë ndonjë kohë të sakte, pasi në pranverë të vitit të ardhshëm fillon konservimi i shtëpive dhe ai merre shumë kohë.

Ndryshe, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj në janar të këtij viti ka thënë se restaurimi i Kullave të Jasharajve mbetet projekti nacional në top prioritet./SHQIP.com