Lajme

Zogaj: Gjendja e komplekseve memoriale nuk është e mirë, ka mungesë të mirëmbajtjes

Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, Bislim Zogaj

“Gjendja e komplekseve memoriale nuk është e mirë dhe se ka munguar mirëmbajtja, prandaj edhe një pjesë e tyre kanë filluar të dëmtohen”.

Këtë deklaratë e ka bërë, Drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, Bislim Zogaj, i cili ka pohuar se objektet që ata i kanë në menaxhim qëndrojnë më mirë.

“Nuk mund të themi që është e mirë sepse këto komplekse memoriale, lapidare të gjitha këto objektet e luftës që janë ndërtuar që nga viti 2000 e këndej, realisht edhe koha e ka bërë të vetën po edhe disa prej tyre janë ndërtuar me ndihma vullnetare. Kështu që nuk është bërë ndonjë punë e kualitetit, por mbi të gjitha ka munguar edhe mirëmbajtja e tyre kështu që kanë filluar të dëmtohen”, ka thënë Zogaj.

“Edhe projektet e tjera që i kemi ndërtuar janë të kualitetit të mirë dhe besoj se do të qëndrojnë kohës. Por në përgjithësi mund të themi se nuk është gjendja e mirë”, ka vazhduar ai.

Kreu i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale ka thënë se veç në vitin 2020 Agjencisë i është zvogëluar buxheti për 70%, shkurtime pati edhe ne vitin 2021, përderisa sivjet Zogaj ka bërë të ditur se nuk kanë buxhet të parashikuar.

“Fatkeqësisht buxheti kur kam ardhur unë ka qenë 5 milionë e 50 mijë euro vetëm për investime kapitale, me tendencë të rritjes në bazë të të hyrave buxhetore në nivel të Kosovës”, ka thënë ai.

Zogaj ka treguar edhe për probleme të tjera që sipas tij ka mungesë të buxhetit dhe të punëtorëve profesionistë, si arkitektë, ndërtimtarë e ciceronë.

Ai ndër të tjera ka përmendur si problem edhe ngritjen e çmimeve, duke ndikuar kështu edhe në projekte e nisura, e që janë bartu nga vitet paraprake duke shkuar deri në 20 mijë euro më shtrenjtë.

“Përshembull një projekt që ka ardhur në vitin 2019 dhe nuk kemi pasur mundësi që ta fusim më herët e kemi fut në buxhetin e vitit 2022 atëherë kanë qenë çmimet e tjera dhe një projekt që ka kushtuar 50 mijë euro në 2018, 2019 tani kushton minimumi 70 mijë euro. Pra ka ndryshuar edhe kostoja e atyre projekteve”, ka thënë ai.

Zogaj ka shtuar se Kompleksi “Adem Jashari” është kompetencë e komitetit ndërministror, kurse mirëmbajtja i takon agjencisë dhe sipas tij me planin e Qeverisë e ky projekt parashihet që të përfshi ekspertë të huaj, duke shpresuar që të jetësohet siç e meriton.

“Tani e kemi komitetin e tretë që është formuar që e udhëheq kryeministri Albin Kurti dhe tani një qasje tjetër sepse ky komitet e ka formuar një komision të ekspertëve të cilët kanë filluar punimet rreth detyrës projektuese. Ne edhe në këtë komitet e kemi prezantuar detyrën që e kemi dhe këta ekspertë e kanë marrë të gjithë dokumentacionin ekzistues në agjenci që nga fillimi edhe te ministria e ambientit çka ka ekzistuar edhe në komunë dhe janë duke e konsultuar”, ka shtuar Zogaj.

“Parashihet të jetë një projekt bukur i madh, bukur i mirë dhe po shpresojmë që më në fund këta ekspertë të cilët janë të lëmive të ndryshme dhe kemi nga Bosnja, Shqipëri, Maqedonia edhe vendorë që do të bëjnë detyrën projektuese, po shpresojnë që do ta bëjnë një detyrë projektuese të mirë”.