Lajme

ZKA: Nëntë pagesa me vlerë prej 355,942 euro nuk janë paguar me kohë nga Agjensia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror

112, 622 euro janë paguar për kompensim të pagave dhe përfitimeve tjera për punonjësit e Agjensisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror.

Kjo është bërë e ditur sipas një raporti të auditimit nga Zyra Kombëtare e Auditimit.

‘’Në katër pagesa në vlerë prej 112,622€ , shpenzime që sipas natyrës i takonin kategorisë së pagave dhe mëditjeve dhe investimeve kapitale ishin paguar nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve. Një nga pagesat ishte ekzekutuar nga Thesari dhe kishte të bënte me kompensim të pagave dhe përfitimeve tjera për punonjësit, derisa tri pagesat e tjera ishin ekzekutuar përmes vendimeve gjyqësore dhe kishin të bënin kryesisht me kompensime të dëmeve për parcela/tokë’’ thuhet në raportin e ZKA-së

Sipas ZKA-së kjo kishte ndodhur për shkak se në kategoritë përkatëse nuk kishin mjete të mjaftueshme për ekzekutimin e këtyre pagesave.

Pas kësaj auditori ka rekomanduar që drejtori duhet të sigurojë që janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që shpenzimet të planifikohen në ndarjet adekuate të buxhetit apo të bëhet ridestinim i mjeteve dhe që realizimi i pagesave të bëhet në kategorinë adekuate për të mundësuar raportimin e drejtë të tyre në PFV, në përputhje me planin kontabël.

Po ashtu sipas gjetjeve të auditorit  është vërejtur se gjatë testimit të shpalosjeve për detyrimet e papaguara, gjashtë fatura në vlerë 178,702€ të cilat i takojnë vitit 2021, nuk ishin paraqitur apo shpalosur në pasqyra vjetore financiare si detyrime të papaguara.

Kjo kishte ndodhur si rezultat i mungesës së kontrolleve të brendshme me rastin e prezantimit apo shpalosjes së detyrimeve në PFV.

Lidhur me këtë sipas rekomandimeve të ZKA-së drejtori duhet të sigurojë kontrolle efektive në regjistrimin dhe paraqitjen e saktë të vlerës së detyrimeve, sipas kërkesës së rregullores për raportim financiar, në mënyrë që të mundësohet raportim i saktë i tyre në PFV

Po ashtu është bërë e ditur se në nëntë pagesa në vlerë 355,942€, është vërejtur që faturat e pranuara nuk ishin paguar me kohë.

Edhe për këtë shkelje ZKA-ja ka dhënë rekomandime.

‘’Drejtori duhet të siguroj funksionimin efikas të pikës së kontrollit të pagesave që verifikon se faturat bëhen në përputhje me afatet kohore të përcaktuara me ligj.’’ thuhet në rekomandimin e ZKA-së.

Po ashtu është bërë e ditur se pasuria jokapitale nën 1,000€ e cila ishte prezantuar në PFV-të e ASHNA, nuk paraqet vlerën reale për shkak se nuk ishte përllogaritur zhvlerësimi i vitit por vlera e pasurisë ishte paraqitur në vlerën bruto./Shqip.com