Lajme

Zhdukja e 11-vjeçares në qershor, kapen gjashtë persona të moshës madhore të dyshuar për rastin

Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë kanë bërë të ditur se gjashtë persona të moshës madhore janë arrestuar pasi dyshohet se ishin përfshirë në zhdukjen e 11 vjeçares gjatë muajit qershor.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë-Departamenti për të Mitur, ju njofton se në koordinim me Policinë e Kosovës, konkretisht Sektorin Qendror të Hetimeve-Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, në vazhdën e hetimeve, pas sigurimit të ekzaminimeve dhe analizimit të provave, si dhe, intervistimit të dëshmitarëve, më 02.09.2022, fillimisht ka arrestuar gjashtë (6) persona të dyshuar”, thuhet fillimisht në njoftim.

Po ashtu është bërë e ditur se gjashtë personat e dyshuar (madhor), dyshohet se janë përfshirë në veprimtari penale, gjegjësisht si të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Trafikimi me njerëz”, ”Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit” dhe “Dhunimi’”.

Lexo edhe:
Dërgohen në mbajtje pesë të dyshuarit për dhunimin e 11-vjeçares, viktima ishte raportuar e zhdukur në qershor

“Në bazë të provave dhe dëshmive të siguruara deri më tani nga hetimet e zhvilluara, dyshohet se janë të përfshirë në rastin e qershorit, ku e mitura ishte raportuar si person i zhdukur”, thuhet në njoftim.

Po ashtu sipas njoftimit është bërë e ditur se për të dy çështjet penale ku e përfshirë është viktima e mitur, prokuroria në koordinim me institucionet e tjera relevante ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me profesionalizëm e përgjegjësi dhe po vazhdon me ndërmarrjen e veprimeve hetimore tutje.

Më tutje thuhet se në cilësi të provave materiale janë konfiskuar shtatë telefona mobil që do të shërbejnë në procedurë penale.

6 personat e dyshuar me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe për të njëjtit do të ndërmerren veprimet e mëtejme procedurale ligjore./Shqip.com