Lajme

Zgjedhjet në Tiranë, Barometri zbulon cili e fiton garën për kryeqytetin

Belind Këlliçi dhe Erion Veliaj

Barometri i Euronews Albania ka publikuar së fundmi rezultatin për zgjedhjet lokale të Bashkisë së Tiranës.

Sipas Barometrit, Erion Veliaj i Partisë Socialiste do të marrë 54.4 për qind të votave (marzhi i gabimit të sondazhit është +/- 2 për qind), Belind Këlliçi nga koalicioni Bashkë Fitojmë do të marrë 37.1 për qind të votave (marzhi i gabimit +/-2 për qind), Roland Bejko i Partisë Demokratike do të marrë 3.8 për qind të votave (marzhi i gabimit +/- 1.5 për qind), Arlind Qori i Lëvizjes Bashkë do të marrë 2.6 për qind të votave (marzhi i gabimit të sondazhit është +/-1.5 për qind), dhe Lajla Përnaska nga PDIU do të marrë 2.1 për qind të votave (marzhi i gabimit +/- 1.5 për qind).

Nuk ka të dhëna për kandidatin e Frontit të Majtë, Marko Dajti.

Prirja e votës: Për kë do të votoni në zgjedhjet e 14 majit?

Kjo është pyetja që iu është drejtuar kryeqytetasve nga Barometri final në Euronews Albania.

43.4 për qind janë shprehur se do të votojnë Erion Veliajn, 29.6 për qind do të votojnë Belind Këlliçin, 3 për qind e tyre do të votojnë Roland Bejkon, 2.1 për qind do të votojnë Arlind Qorin dhe 1.7 për qind e kryeqytetasve janë shprehur se do të votojnë Lajla Përnaskën.

7.9 për qind e qytetarëve janë shprehur se nuk do të votojnë në zgjedhjet e 14 majit, 11.4 për qind nuk kanë vendosur ende se kë do të votojnë dhe 0.9 për qind e tyre janë shprehur “nuk e di”.

Krahasuar me muajin prill, kandidati Erion Veliaj ka pësuar rritje me 1.3 për qind të atyre që janë shprehur se do ta votojnë, ndërsa kandidati i “Bashkë Fitojmë” Belind Këlliçi, ka pësuar rritje me 0.9 për qind nga muajin prill në maj, të qytetarëve që janë shprehur se do ta votojnë në 14 maj.

Roland Bejko i Partisë Demokratike është rritur me 1.6 për qind nga muaji prill në maj.

Arlind Qori dhe Lajla Përnaska janë rritur me 1.3 për qind nga muaji prill në maj.

Numri i kryeqytetasve që nuk do të votojnë në 14 maj është rritur me 1.3 për qind nga muaji prill që ishte 6.6 për qind në muajin maj që është 7.9 për qind, shkruan Euronews Albania.

Është ulur me 6.1 për qind numri i kryeqytetasve që janë të pavendosur për të votuar në 14 maj dhe është ulur me 1.8 për qind numri i qytetarëve që janë shprehur se nuk e dinë nëse do të votojnë në zgjedhjet vendore.

/Shqip.com