Ekonomi

Zgjedhja e Drejtoreshës së Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, reagon njëri kandidat

Venera Qerkini është emëruar Drejtoreshë Ekzekutive në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë.

Kjo është bërë e ditur gjatë mbledhjes së fundit të mbajtur nga ana e Qeverisë.

Në fjalën e tij, Ministri i Punëve të Brendshme, ka treguar për procedurën e rekrutimit.

Sipas tij në listë të ngushtë kishin hyrë tre kandidatë porse ministri i Bujqësisë, Faton Peci kishte propozuar Qerkinin.

“Në pajtim me dispozitat ligjore, MpB ka zhvilluar procedurën e rekrutimit me qëllim të plotësimit të vendit të lirë të punës. Për pozitën drejtor ekzekutiv kanë aplikuar 15 kandidatë, 9 prej të cilëve kanë hyrë në listë të ngushtë. Pas vlerësimit profesional nga Komisioni Shtetëror i Pranimit, kandidatët, kandidatët fitues që janë vlerësuar me mbi 70 % të pikëve janë Venera Qerkini, Menderes Ibra dhe Lebibe Haliti. Në pajtim me dispozitat ligjore dhe pas përzgjedhjes nga ministri i Bujqësisë në cilësinë e mbikëqyrësit të drejtpërdrejtë, propozoi emërimin e Venera Qerkinit si drejtore për një mandat 4-vjeçar”, tha ai.

Lexo edhe:
Venera Qerkini emërohet Drejtoreshë Ekzekutive në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë

E lidhur me këtë emërim ka reaguar Menderes Ibra që ka qenë njëri nga kandidatët për këtë pozitë.

Postimi i Plotë

Nuk e kam zakon që të shkruaj në FB për çështje personale, mirëpo kësaj radhe do të bëj një përjashtim. Kjo, për arsye të pozitës së drejtorit të Agjencisë së Zhvillimit të Bujqësisë, ku pata aplikuar dhe isha një nga kandidatët. Meqenëse, emri im këto ditë, u përmend nga shumë media, miq, kolegë dhe shokë më kontaktuan për të më pyetur rreth saj.

Kërkoj falje që e kisha të pamundur, t’ i përgjigjem secilit veçmas, dhe duke ju përshëndetur e falënderuar të gjithëve për interesimin tuaj ju njoftoj: Në qershor të vitit të kaluar, aplikova në konkursin e hapur, dhe hyra në listën e ngushtë, së bashku edhe me dy kandidatë tjerë.

Sidoqoftë, ata të dy u tërhoqën nga procesi, dhe meqenëse mbeta vetëm unë, konkursi u anulua, sepse gara nuk vazhdohej me vetëm një kandidat. Në gusht, konkursi u rishpall, dhe në listën e ngushtë u zgjodhëm 9 vetë.

Pas testimit me shkrim dhe intervistës me gojë, në listën fituese nga komisioni shtetëror u zgjodhëm tre vetë, ku unë isha i dyti në listë. Procesin e rekrutimit të nivelit të lartë drejtues e monitoron organizata e kontraktuar nga Ambasada e Britanisë së Madhe, dhe në ranglistën e tyre unë isha i pari.

Personalisht, dëshiroj që të falënderoj britanikët për vlerësimin, dhe kjo më bëri që të ndjehem shumë mirë. Në mbledhjen e fundit Qeveria aprovoi vendimin e Ministrit të Bujqësisë, ku drejtoreshë u emërua kandidatja që ishte e para në listën e komisionit shtetëror, dhe procesi u përmbyll këtu.

Miq të dashur, e veçanërisht ju kolegë ekspertë të bujqësisë, (Kosova, aq sa kam informata, ka rreth dy mijë ekspertë të bujqësisë, përfshirë të gjitha profilet), faleminderit shumë që më kontaktuat, dhe u preka thellë dhe u emocionova nga fjalët tuaja të mira.

Kur kam konkurruar për këtë pozitë, thjeshtë kam bërë një ofertë te sinqerte personale për punë në shtetin tim, se bashku edhe me nje program pune, dhe me të vetmen dëshirë që të jap kontributin tim.

Të gjithë ata që më njohin e dijnë një gjë, që do e përsëris: Gjatë tërë jetës time, pavarësisht se ku kam punuar, qëllim kryesor e kam pasur punën profesionale dhe interesin e përgjithshëm, synim kryesor drejtësinë dhe punën e ndershme.

Kurse, objektiv kryesor dhe ideal jetësor punën për shtetin e Kosovës. Jam krenar me punën time të deritashme, dhe po me parimet që përmenda më lartë, do të vazhdoj të punoj, ku do qoftë që do të jem.

Ne sot jemi të lirë, dhe liria ka obligime dhe të drejta. Njëra nga të drejtat kyçe në liri, dhe parakusht i progresit shoqëror, është e drejta për të kontribuar, sepse përmes saj, çlirohet energjia e pakufishme e të gjithë individëve, në funksion të zhvillimit të shtetit.

/Shqip.com