Ekonomi

Zgjatet afati i aplikimit për subvencionim të efiçiencës së energjisë

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli

Ministria e Ekonomisë ka vendosur që afatin për aplikim në fazën e dytë për subvencionimin me pajisje të efiçiencës ta zgjas deri me 7 nëntor.

Sipas Ministrisë së Ekonomisë, zgjatja e këtij afati është bërë duke u bazuar në kërkesat e aplikantëve.

“Zgjatja e afatit bëhet duke u bazuar në kërkesat e aplikantëve, të cilët kanë aplikuar në Fazën 1 dhe të cilët në mungesë të kapaciteteve të kompanive për liferim/montim të pajisjeve, e kanë të pamundur që të kryejnë procedurat e parapara brenda afatit të paraparë për aplikim në Fazën 2”, thuhet në njoftimin e ME-së.

 Ministria fton të gjithë qytetarët që janë parakualifikuar në fazën e parë, që sa më parë të kryejnë këtë proces në mënyrë që të jenë përfitues të subvencionit.

Rizvanolli prezanton masat për subvencionim të energjisë: Do të përfitojnë rreth 10 mijë familje – SHQIP.com

Para dy javesh, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka prezantuar masat për subvencionimin e efiçiencës së energjisë për qytetarët.

Sipas Rizvanollit, nga këto masa do të përfitojnë rreth 10 mijë familje, e thekson se do të kursehen rreth 12 milionë euro.

“Nga sot kemi hapur thirrje për subvencionim për qytetarët në vlerë prej 6 milionë euro. Pajisjet që do të subvencionohen janë kaldarët me biomasë dru, peletë, briketë që do të subvencionohen në masë deri në 70% të vlerës së invesimit apo 1200 euro, pompat termike që ulin 30% të konsumit të energjisë do të subvencionohen deri në 2 500 euro, kondicionerët efiçentë deri në 40% apo 400 euro, stufat indivudale efiçente me biomasë, dru, për familjet me skemë sociale me 90% apo 560 euro. Për të tjerët 70% apo 435”.

Rizvanolli shtoi se qytetarët do të mund të aplikojnë online në platformën eKosova.

Gjithashtu ajo tha se me këto masa synohet të ulet për 70% konsumi i energjisë elektrike nga familjet që do të subvencionohen.

/Shqip.com