Ekonomi

Zeqiri: Qeveria ka dështuar në realizimin e projeksioneve për investime kapitale

Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës
Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës

Nazmi Zeqiri, profesor i ekonomisë, në emisionin EURO n’7 në T7, ka treguar se qeveria ka dështuar në realizimin e projeksioneve të tyre për investime kapitale.

Sipas tij, qeveria e ka huqur orientimin për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, duke rritur në mënyrë enorme transferet dhe subvencionet dhe duke ulur në shkallën më të ulët ndonjëherë përqindjen e investimeve kapitale.

“Në vitin e kaluar, qeveria arsyetohej se nuk po mund të shtyjë përpara projektet kapitale në mungesë të bordit të OSHP-së, gjë që doli se nuk ishte e vërtetë, ngase dështimi në investime kapitale ndodhi pas konstituimit të këtij bordi. Realizimi i projekteve kapitale le shumë për të dëshiruar ngase është në shkallën më të ulët ndonjëherë. 1500 projekte të buxhetuara kjo qeveri nuk arriti as t’i nis dhe kjo ka ndikuar negativisht në rritjen ekonomike. Ndihmat për punëtorët e sektorit publik as nuk kanë ndikuar në uljen e inflacionet e as në ngritjen ekonomike, pra një vendim i tillë ka qenë jo mirë i menduar dhe pa asnjë efekt”, ka shtuar profesori Nazmi Zeqiri.

Ndërsa, sa i përket ndikimit të luftës në Ukrainë në ekonominë vendore, ai ka thënë se kjo më shumë është përdorur si justifikim për mospunë nga qeveria sesa realisht ka pasur ndikim.

“Është mospuna e qeverisë në rrafshin ekonomik ajo që ka ndikuar të kemi ngecje në ekonomi dhe ikje të trurit nga vendi ynë”, ka përfunduar ai.

/Shqip.com