Lajme

Zëdhënësi i Qeverisë liston të arriturat e javës së kaluar, nuk përfshinë vendimin për targat

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka listuar pesë ngjarjet kryesore të javës së kaluar.

Përmes një postimi në Facebook, Kryeziu ka përmendur renditjen e Kosovës në Ballkanin Perëndimor për sundimin e ligjit dhe miratimin e buxhetit për vitin e ardhshëm.

“Kosova u rendit e para në Ballkanin Perëndimor për sundim të ligjit kurse e dyta në botë për nga përmirësimi i arritur brenda vitit 2022, sipas World Justice Project. Sivjet shënuam vlerën më të lartë ndonjëherë në indeksin e këtij raporti. U miratua në Qeveri projektbuxheti për vitin 2023. Në vlerë prej 3.2 miliardë euro, buxheti për vitin e ardhshëm do të vazhdojë mbështetjen për arsim, shëndetësi, bujqësi e siguri”, shkroi Kryeziu.

Kryeziu përmendi edhe miratimin e Strategjisë së Sigurisë për vitin 2022-2027 si dhe marrëveshjen për Malin e Zi.

“Kuvendi miratoi Strategjinë e Sigurisë së Kosovës 2022-2027. I dyti që nga shpallja e pavarësisë, ky dokument identifikon rreziqet, kërcënimet, sfidat për sigurinë e vendit por edhe mundësitë, objektivat strategjike dhe vizionin për të ardhmen. U nënshkrua marrëveshja me Malin e Zi për ndërtimin e rrugës Pejë-Rozhajë dhe rrugës Deçan-Plavë. Krahas rëndësisë ekonomike, këto dy projekte lidhin vendet e banuara shqiptare në dy anën e kufirit”.

Ndër tjerash përmendet edhe nënshkrimi i memorandumit të bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar.

Nesër fillon numërimi mbrapsht për targat – SHQIP.com

Vlen të theksohet se në mesin e këtyre ngjarjeve të javës së kaluar nuk u përmend vendimi i Qeverisë së Kosovës për tragat.

Nga dita e nesërme fillojnë masat e paraparë nga Qeveria për pronaret e automjeteve me targa ilegale në Kosovë.

Nga 1 nëntori deri me 21 parashihet të bëhen vërejtje (qortime) ndaj këtyre shoferëve, ndërsa pas kësaj periudhe do të vazhdojë masa e gjobitjes.

Masa e gjobitjes do të vazhdojë deri me 21 janar të vitit që vjen. Kurse pas 21 janarit do të ketë targa provuese për dy muaj.

Sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, pas datës 21 prill nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve me targa të lëshuara nga autoritetet serbe të cilat konsiderohen ilegale në Kosovë.

/Shqip.com