Lajme

Nesër fillon numërimi mbrapsht për targat

Stikersat SRB të vendosura në targa RKS

Nga dita e nesërme fillojnë masat e paraparë nga Qeveria për pronaret e automjeteve me targa ilegale në Kosovë.

Nga 1 nëntori deri me 21 parashihet të bëhen vrejtje (qortime) ndaj këtyre shoferëve, ndërsa pas kësaj përiudhe do të vazhdojë masa e gjobitjes.

Masa e gjobitjës do të vazhdojë deri me 21 janar të vitit që vjen. Kurse pas 21 janarit do të ketë targa provuese për dy muaj.

Sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, pas datës 21 prill nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve me targa të lëshuara nga autoritetet serbe të cilat konsiderohen ilegale në Kosovë.

“Kemi ardhur në përfundim që të sjellim një vendim, i cili bënë sekuencim dhe shkallëzim të sanksioneve me rastin e zbatimit të këtij vendimi. Më konkretisht për tri javë, duke filluar nga data 1 nëntor deri më datë 21 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit, pastaj nga 21 nëntori për dy muaj deri më 21 janar, do të jetë masa e gjobitjes dhe më pastaj nga 21 janari do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas secilës datë më 21 prill, nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, ka thënë Kurti.

Vlen të theksohet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë këkruar pezullimin e vendimit për dhjetë muaj por Kurti ka refuzuar këtë kërkesë.

Në të njejtën linjë me ShBA-të ka qëndruar edhe Bashkimi Evropian.

Refuzimi i kërkesës së partnerëve ndërkombëtar nga ana e Kurtit ka ngjallur reagime të shumta në publik.

Ndërsa, në reagimin e Departamentit të Shtetit Amerikan, thuhet se ata janë të zhgënjyer nga refuzimi i kërkesës së tyre.

Bashkimi Evropian ka thënë se Kosova ka të drejtë të heq targat KM por duhet të bëhet në mënyrë graduale duke u dakorduar me dialog.  Ata cilësojnë se është shkelur marrëveshja e vitit 2016-të në të cilën heqja e targave përshkruhej me afat kohorë prej 12 muajsh.

Kundër ndryshimit të tragave ilegale në Kosovë, qëndron edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuqiç.

Në rast se këto targa nuk lejohen nga autoritetet e Kosovës, Vuçiq ka parlajmëruar ‘përshkallëzim’ të popullatës serbe në veri.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që obligonte pronarët e makinave me targa të akronimeve që t’i regjistronin ato në “RKS”.

Ky vendim do të hynte në fuqi që nga 1 gushti i këtij viti por për shkak të situatës së tensionuar, ky vendim u shty për një muaj duke u  vendosur një afat kohorë deri me 31 tetor.

Gjatë kësaj periudhe kohore makina të regjistruar në RKS ka pasur shumë pak por nuk kanë munguar as incidentet.

Nga 1 shtatori janë regjistruar tri incidente në të cilat janë të përfshirë persona që ju kanë përgjigjur ftesës që t’i kthejnë targat. Lidhur me këtë, Institucionet e Kosovës janë duke i akuzuar strukturat ilegale të cilët po frikësojnë qytetarët serb.

Përfaqësuesit e Listës Serbe nuk kanë reaguar për djegien e makinave dhe pronave të banorëve serbë. As Beogradi zyrtar nuk ka komentoi publikisht sulmet.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, kishte paralajmëruar bllokimin e rrugëve në veri të Kosovës, nëse Kosova ndërmerr ndonjë veprim për konfiskimin e makinave me targa serbe.

Deri më tani, vetëm 20 makina janë riregjistruar në RKS, dhe ky numër i vogël – krahasuar me afër 10.000 makina sa besohet se kanë targa ilegale në Kosovë.

/Shqip.com