Lajme

Zbardhet drafti i PS për ndryshimet e Kodit Zgjedhor

Këtë të mërkurë është mbajtur tryeza e ekspertëve të ODIHR dhe partive politike për të diskutuar rreth rekomandimeve të OSBE/ODIHR për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Në këtë tryezë Partia Socialiste përmes ekspertëve, Eridian Salianji dhe Viktor Gumi prezantoi draftin me propozimet për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ku përfshihet depolitizimi i komisioneve zgjedhore dhe votimi me postë i emigrantëve.

Në lidhje me depolitizimin e komisioneve zgjedhore dy ekspertët socialist propozuan që Komisioni i Qendrës së Votimit (KQV) të përbëhet nga tre anëtarë, të emëruar nga administrata e KQZ duke u përzgjedhur nga trupa e komisionerëve të gatshëm dhe të trajnuar dhe certifikuar paraprakisht nga KQZ. Një prej anëtarëve kryen edhe detyrën e sekretarit të KQV.

Kurse Komisioni i Zonës së Administrimit Zgjedhor (KZAZ) të përbëhet nga pesë anëtarë, të përzgjedhur nga KQZ. E njëjta skemë si me monitoruesit është edhe për Grupet e Numërimit të Votave të cilat përbëhen nga dy anëtarë, të emeruar nga Komisioneri i KQZ nga trupa e trajnuar dhe certifikuar paraprakisht nga KQZ dhe nga katër monitorues politikë, si më lart, të cilët nuk kanë asnjë te drejtë vendimmarrje.

Për t’i dhënë zgjidhje njëherë e mirë depolitizimit, PS kërkon që trupa e komisionerëve zgjedhore të krijohet nga përzgjedhja mes radhëve të administratës shtetërore që kanë statusin e nëpunësit civil, punonjësit e arsimit, dhoma e avokatëve, dhoma e noterisë, si dhe çdo shtetas tjetër që përmbush kriteret arsimore dhe të pastërtisë, të cilët u nënshtrohen paraprakisht trainimit të detyrueshëm duke u certifikuar nga KQZ. Për punonjësit publik trajnimi propozohet të jetë i detyrueshëm dhe të bëhet pjesë integrale për ecurinë në karrierë. Për përzgjedhjen e komisionerëve, propozohet që të bëhet me short nga lista e atyre që janë të trajnuar.

Në lidhje me votën e emigrantëve, në draftin e paraqitur nga dy ekspertët e Partisë Socialiste Eridian Salinji dhe eksperti Viktor Gumi, propozohet që shtetasit shqiptarë, të cilët jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë të votojnë nëpërmjet postës dhe zarfi me fletën e votimit duhet të ketë mbërritur në KQZ jo më vonë se ditën e votimit. Për këtë, ata do të duhet të bëjnë regjistrimin e adresës së banimit të tyre jashtë vendit në përputhje me ligj nr. 14/2016 “Për identifikimin dhe regjistrimin e adresës së shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”.

/Shqip.com