Art Jetese

Zakonet që po ngadalësojnë metabolizmin tuaj

Metabolizmi është një proces biokimik natyral që ndodh kur trupi transformon ushqimin në energji të shfrytëzueshme.

Sa më efikas të jetë ky proces, aq më të pakta janë gjasat që të shtoni në peshë.

Për të rritur në mënyrë efektive metabolizmin tuaj, është e rëndësishme të identifikoni zakonet e përditshme që mund të jenë duke ngadalësuar metabolizmin tuaj.

Konsumoni mëngjes shumë vonë

Pas gjithë atyre orëve në gjumë, pa kosnumuar ushqim, metabolizmi juaj ka nevojë për “karburant”.

Ekspertët e shëndetit këshillojnë që mëngjesi të konsumohet brenda orës së parë të zgjimit, ose akoma edhe më mirë brenda 15 min nga zgjimi.

Nuk konsumoni proteina

Trupit tuaj i duhet më shumë kohë për të tretur proteinat, kështu që ushqimet me proteina, si për shembull vezët, do t’ju mbajnë të ngopur për më gjatë.

Keni ndaluar konsumin e kafesë

Pirja e kafesë mund të shkaktojë një rritje të përkohshme të metabolizmit, por të konsiderueshme.

Kafeina absorbohet në rrjedhën e gjakut shumë shpejt, duke përshpejtuar rrahjet e zemrës dhe duke siguruar rritjen e metabolizmit.

Po mbani dietë

Kur i reduktoni kaloritë në mënyrë drastike, në përpjekje për të hequr sa më shpejt kilet e tepërta, trupi juaj do të përpiqet t’i mbajë ato edhe më fort.

Kjo ndodh sepse trupi mendon se po vdes nga uria, kështu që ngadalëson shpejtësinë me të cilën djeg kaloritë, për të kursyer energji.

Qendroni ulur gjatë

Një kohë e konsiderueshme shpenzohet duke qëndruar ulur, si për shembull në punë, makinë ose në divan duke parë TV.

Kur qëndroni ulur, metabolizmi juaj nuk është aq funksional, prandaj këshillohet që çdo gjysëm ore të lëvizni.

Stresoheni shumë

Stresi rrit hormonet që stimulojnë oreksin. Llojet e ushqimeve në të cilat priremi të kërkojmë në këtë rast janë ato të përpunuarat, me shumë yndyrë dhe sheqer, të cilat ndikojnë negativisht në metabolizmin tuaj.