Yjet që u shuan shpejtë
Dikush e kishte talentin, por jo edhe fatin.
Dikë tjetër e përcolli edhe fati, por e zgjodhi paranë.
Bojan Krkic, Alexandre Pato, Theo Walcott dhe Sebastian Giovinco janë vetëm disa prej i yjeve që zbritën shpejtë nga qielli
Bojan Krkic
Konsiderohej si “Messi i ri”.
Stili i tij i lojës dhe pamja fizike i ngjasonin argjentinasit, por karriera nuk i shkoi siq pritej.
Bojan Krkic debutoi me ekipin e parë te Barcelonës si 17-të vjeçar duke u bërë futbollisti me moshën më të re që ka luajtur ndonjëherë për ekipin e parë të katalunasve, duke e thyer pikërisht rekordin që mbahej nga Leo Messi.
Po në atë sezon Krkic zhvilloi 48 ndeshje, dhe shënoi 12 gola, por me të përfunduar sezoni, filluan të shfaqeshin probleme.
E gjithë bota po fliste për “adoleshentin kroat” dhe talentin e tij, por fatkeqësisht tërë këtë sukses nuk mundi ta shijoi ai që e “prodhoi” vetë.
“Kisha ankthe pas përfundimit të sezonit, nuk ndihesha i përgatitur psiqikisht”, shprehej Krkic.
E këto ankthe e detyruan atë që ta refuzoj ftesën e kombëtares së Kroacisë për të luajtur në kampionatin evropian “Euro 2008”.
Përkrahja nuk i mungoi – as në ato ditë të vështira.
“Carles Pyoul ishte pranë meje gjithmonë, ai më tha se unë do të ndihmoj, vetëm shko luaj dhe mos e humb kampionatin evropian”, tregonte Bojan, për mediat spanjolle.
Por, ai ishte i vendosur ta refuzonte ftesën.
Nga ana tjetër kombëtarja spanjolle e futbollit ishte e gëzuar nga ky vendim i kroatit, dhe u munduan që ta shtynin atë që të bëhej pjesë e “La Roha”, dhe pas shumë bisedimeve ata e bindën kroatin të luajë për Spanjën, por për shkak të problemeve të njëjta, Krkic e zhvilloi vetëm një lojë për “Furinë e Kuqe” .
Në lojën që ishte e para dhe e fundit e Krkic për kombëtaren spanjolle, ai luajti vetëm 2 minuta.
Aventura e tij me Barcelonën zgjati deri në vitin 2011, pastaj u transferua në AC Roma, ndërsa prej vitit 2001 ai ka ndërruar 6 ekipe, por pa e rigjetur “lavdinë e tij”. Sot, Krkic është 29 vjeç, dhe aktualisht luan në Japoni, te Vissel Kobe.
Alexandre Pato
Në “San Siro” i fitoi zemrat e milanistëve për një kohë tejet të shkurtër, por e shkurtër ishte edhe “lavdia e tij”
Alexander Pato zbarkoi ne Milano në vitin 2007, pasi që “rosonerët” kishin paguar 24 milion ekipit “Internacional” nga Brazili.
Për shkak të numrit të kufizuar të futbollistëve që kishin prejardhje jo-evropiane, ai nuk mund ta zhvillonte asnjë ndeshje zyrtare në vitin 2007, dhe u desh të priste deri në vitin 2008; pritje që do t’ia vlente.
Në ndeshjen e tij debutuese ndaj Napolit ai tundi rrjetën, dhe i tregoi botës, se edhe pse ishte vetëm 18-të vjeçar, ai nuk kishte ardhur në Milano për sfilata mode!
E djathta e tij e saktë, shpejtësia dhe buzëqeshja e tij në fushë, bën që të gjithë të kthenin kokën nga ai, dhe te flisnin për djaloshin e “artë” në “San Siro” .
Pato e përfundoi sezonin e tij të parë në Serie A, me 9 gola, shifër e mahnitshme për një adoleshent.
Kampionati i ri (2008-2009) e gjeti Paton më të gatshëm se kurrë për t’i treguar botës talentin e tij.
Ai tashmë ishte bërë ndër lojtaret kyç të Milanos, dhe nuk ndalej së shënuari gola, duke e përfunduar sezonin si golashënuesi më i mirë i ekipit me 18 gola .
Në vitin 2009 ai u shpërblye me çmimin “Lojtari më i mirë i ri” në Serie A. Forma e tij vetëm sa ngrihej lartë e me lartë, derisa filluan të shfaqeshin lëndimet.
Nga viti 2010 e deri në vitin 2012 lëndimet nuk e lanë rehat, dhe ndikuan që tifozët rosonerë të shihnin vetëm copëza shkëndijash nga Pato.
Në vitin 2011 Pato mori edhe njëherë vëmendjen e futbolldashësve, pasi para 100 mijë shikuesve në “Camp Nou”, ai shënoi gol në sekondën e 24, duke hyrë në histori si goli me i shpejtë i shënuar në histori të Ligës së Kampioneve.
Pas pensionimit të Inzaghit (2012), ai e mori numrin legjendar “9” në fanellën e tij, por nuk e pati fatin ta barte gjatë. Në vitin 2012, Pato u largua nga Milano, pasi në San Siro e kishin humbur durimin nga lëndimet e tij të shpeshta.
Alexandre u kthye në Brazil, tek “Corinthians”, për t’u huazuar më pas në “Sao Paolo”.
Braziliani u rikthye edhe njëherë në Evropë, fillimisht te Chelsea, por rezultoi aventurë e dështuar, pasi ai nuk mundi të zinte vend si titullar.
Pas Chelseas ai u transferua në Vilareal, ku pati disa paraqitje të mira, por në fund të sezonit, ai u “arratis” nga Evropa përsëri. Aventura e tij e fundit ishte në ekipin “San Paolo” në Brazil, ndërsa aktualisht ai është lojtar i Orlando City.
Theo Walcott
“Në Londër thuhej se kishte arritur një futbollist me ‘shpejtësi të dritës’, në ‘Emirates Stadium’ mbeten të gjithë gojëhapur prej një 17-të vjeçari.
“Gunners” thuhej se e kishin gjetur lojtarin e së ardhmes.
Theo Walcot, një prodhim i Southamptonit u ble nga Arsenali në vitin 2006, për 5 milionë funte. Shpejtësia e tij e jashtëzakonshme e kishte bindur Arsen Wenger që ta sillte atë tek londinezët, pa u menduar dy herë.
Po atë vit Walcott debutoi me ekipin e parë të Arsenalit në një ndeshje në kuadër të Premierligës angleze.
Përkundër faktit që ai ishte shtatëmbëdhjetë vjeçar, Wenger kishte besim të madh tek Theo, dhe e futi në lojë në ndeshjen kthyese ndaj Dinamo Zagreb në kuadër të Ligës së Kampioneve.
Me atë ndeshje, ai hyri në histori, duke u bërë futbollisti më i ri në histori të klubit të Arsenalit që luan në një ndeshje evropiane .
Por, rekordet nuk kishin të ndalur për të, pasi ai mori ftesë nga kombëtarja angleze, dhe u bë futbollisti me moshën më të re (17vjeçar) që ka luajtur për ekipin e seniorëve të “3 Luanëve”.
Golin e tij të parë me Arsenalin e shënoi në vitin 2007, në derbin ndaj Chelsea, ndërsa dita e ditës po “rritej” si lojtar, dhe e përfundoi sezonin me gjithsej 8 gola.
Pas largimit të legjendës Thiery Henry, Walcot mori numrin “14” dhe ishte bërë një startues i rregullt në formacionin e Arsenalit.
Por, për fat të keq, një vit më pas filluan të shfaqeshin lëndimet, dhe ai u detyrua të qëndronte shumë ndeshje jashtë fushave të gjelbra, gjë që ndikoi negativisht në formën e tij fizike .
Ai nuk u dorëzua dhe e rigjeti sërish formën e tij në sezonin 2012-2013, sezon në të cilën ai shkëlqeu dhe ishte golashënuesi më i mirë i Arsenalit, me 21 gola në të gjitha kompeticionet, dhe kjo super formë e tij u shpërblye me një kontratë 3 vjeçare me Arsenalin.
Kur Theo e kishte rigjetur lumturinë, dhe po kalonte momentet më të bukura në karrierë, lëndimet u rishfaqen përsëri, për ta lënë atë jashtë fushave të gjelbra për 6 muaj në sezonin 2013-2014 dhe kështu ai e humbi “Kupën e Botës 2014” .
Pas atij lëndimi ai nuk ishte asnjëherë i njëjti, dhe koha e tij “e artë” në Arsenal kishte mbaruar. Ai qëndroi në Arsenal deri në vitin 2018, por pa qenë pjesë e rëndësishme e ekipit, dhe pa përmbushur pritshmërinë e fansave dhe të strategut francez Arsen Wenger.
Këmbëshpejti u “divorcua” me “Gunners” ne vitin 2018 duke kaluar tek Everton për 20 milion funte, ndërsa aktualisht është futbollist i Southamptonit.
Sebastian Giovinco
Në Torino e konsideronin si “Del Piero i ri” . Thuhej se Juventusi e kishte lojtarin e së ardhmes, por asgjë nuk shkoi ashtu siç pritej
Debutimin e tij me “Zonjën e vjetër” e bëri ende pa i mbushur 18 vjet, me saktësisht në sezonin 2006/2007, në një ndeshje kampionate kundër Bolognes, asokohe kur Juventus garonte ne Serie B.
Përkundër moshës së re, ai po atë ndeshje e bëri një asist për David Trezeguet, dhe menjëherë mediat “u vërshuan” pas tij!
Por, për shkak të konkurrencës së madhe në ekip, një vit më pas (pasi që Juventus u inkuadrua në Serie A), ai u dërgua huazim në Empoli, ku pati minutazh më të madh, dhe paraqitje të mira individuale.
Në fund të sezonit Empoli ra nga Serie A, ndërsa Juventus e riktheu në Torino talentin e tyre, pasi ai e kishte marrë eksperiencën e nevojshme.
Me t’u rikthyer në Juventus në vitin 2008, Giovinco filloi me paraqitje të mira, paraqitje që e binden klubin italian që t’ia vazhdojnë kontratën deri në vitin 2013.
Por skema e lojës që e praktikonte strategu, Cladio Ranieri e rreshtuar si “4-4-2” nuk ishte e përshtatshme për një “10” si Giovinco, dhe ai kaloi shumë ndeshje i ulur në pankinë pa arritur të behet pjesë e rëndësishme e skuadrës.
Në vitin 2009, Ranieri dhe Juventusi ndanë rrugët, dhe u mendua që Giovinco do të merrte minutazhin e shumë kërkuar, por jo!
Në prill te atij viti, ai e pësoi një lëndim i cili e mbajti jashtë fushës deri në fund të sezonit. Në Torino dukej se tashmë e kishin “humbur durimin”, dhe e dërguan Giovincon në huazim tek Parma deri në vitin 2012, për t’u rikthyer më pas përsëri, por pa arritur asnjëherë pritshmërinë e fansave.
Ai u shit përfundimisht nga Juventus tek Toronto FC në vitin 2015, ekip që garon në MLS, dhe po atë vit ai u shpall “ MVP” i ligës, ndërsa aktualisht është lojtar i lirë. /Shqip.com