Lajme

Xhungla e tregut të ilaçeve – Kosova ende pa ligj për kontrollimin e çmimit të medikamenteve

Medikamente

Teuta Mazreku: Një barë për zemër dallon 4 euro nga ‘Emshiri’ në ‘Rrethin e Spitalit’ dhe për këtë detyrohemi që të bëjmë rrugë shtesë, pasi ky nuk është ilaçi i vetme që ne marrim.

Çdo javë Teuta Mazreku detyrohet që të blejë ilaçe për babanë e saj, i cili ka probleme me zemër.

Ajo brengë të vetëm nuk e ka vetëm gjetjen e medikamentit që i nevojiten, por edhe çmimin.

Mazreku për SHQIP.com ka treguar se për një ilaç për zemër dallimi është katër euro nga barnatorja pranë lagjes Emshir ku jeton, me atë në Ulpianë ku e blenë.

“Jo vetëm që është e vështirë t’i gjej këto barna, por edhe zgjedhja e barnatores është problem. Një barë për zemër dallon 4 euro nga ‘Emshiri’ në ‘Rrethin e Spitalit’ dhe për këtë detyrohemi që të bëjmë rrugë shtesë, pasi ky nuk është ilaçi i vetme që ne marrim”.

Ajo po ashtu ka treguar se ka vërejtur që çmimi dallon edhe te ilaçet esenciale, për rreth 0.70 centë.

Nënkryetarja e Odës së Farmacistëve të Kosovës, Dardane Mehaj

Ankesat më të mëdha të qytetarëve janë për ilaçet kronike

Që ka dallime në çmim në mes barnatoreve ka treguar edhe nënkryetarja e Odës së Farmacistëve të Kosovës, Dardane Mehaj.

Nënkrytarja e Odës ka treguar se ankesat më të mëdha u vijnë për barnat për trajtimin e hipertensionit dhe diabetit.

“Ka dallime në mes të barnatoreve sa ju përket çmimeve ( vende- vende dallime të mëdha). Rastet më të shpeshta janë tek barnat kronike ( terapia e hipertensionit , diabetit ) ku edhe janë ankesat më të shumta nga qytetarët për ndryshime të çmimeve”.

Mehaj ka thënë se dallimet në shifër janë nga më të ndryshme duke filluar nga 0,50 cent e deri në 3-4 euro dhe e gjithë kjo ndodh sipas saj, nga mungesa e ligjit për rregullimin e çmimit të barnave.

Ajo për SHQIP.com ka treguar se në krahasim me rajonin në bazë te statistikave të vitit 2019 Kosova blen barna 10 milion më shtrenjtë  dhe bashkë më Bjellorusinë janë vendet e vetme në Evropë që nuk e kanë këtë ligj.

Besim Kodra nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve

E këtë ndryshim, në çmim të barnave, Besim Kodra nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve e quan abuzim që po bëhet me qytetarët.

Ai ka thënë së trajtimi i ankesave të qytetareve nuk po bëhet në mënyrën e drejtë.

“Secili institucion duhet të ketë mekanizëm për të menaxhuar ankesat deri në zgjidhje. Në shumicën e rasteve këto mungojnë dhe trajtimi nuk bëhet në mënyrë të drejtë”, ka shtuar ai.

Inspektorati Farmaceutik: Në vitin 2021 kemi shqiptuar 165 gjoba

Remzie Thaqi nga Inspektorati Farmaceutike për redaksinë ka thënë se numri më i madhe i ankesave vjen nga Komuna e Prishtinës, ndërsa në raport me popullsinë prinë ajo e Lipjanit.

Mehaj ka treguar se vetëm gjatë vitit 2021 janë gjobitur gjithsej 165 barnatore.

“Numri i gjobave të shqiptuara gjatë vitit 2021 është 165, ku janë lëshuar 165 vendime’’.

Në anën tjetër, SHQIP.com ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Shëndetësisë, por deri në momentin  e publikimit të temës nuk ka marrë përgjigje./SHQIP.com